Lajme

Krasniqi, Qeverisë: Po bëni diskriminim të jashtëzakonshëm ndaj Komunave, Vitia vetëm 4 euro për kokë banori për investime


Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, këtë të enjte, ka vizituar Komunën e Vitisë, ku nga aty ka folur për diskriminim, të cilën e ka cilësuar si të jashtëzakonshëm, të Qeverisë së Kosovës në raport me Komunat, të cilët nuk udhëhiqen nga partia në pushtet.

“Ajo që edhe këtu vërehet është diskriminimi i jashtëzakonshëm që Qeveria qendrore po ua bën qytetarëve të kësaj komune, si dhe shumë komunave tjera në Kosovë. Vetëm 4 euro për kokë banori për qytetarët e Vitisë i ka ndarë Qeveria me buxhetin e vitit të ardhshëm për projektet e reja investive. Është e papranueshme, është vërtetë një diskriminim i paparë ndonjëherë dhe i cili nuk e ndihmon zhvillimin e mëtutjeshëm të komunitetit dhe të komunës”, theksoi ai.

Krasniqi, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës edhe në raport me ekonominë duke vlerësuar se rritja ekonomike në vend ka një rritje prej rrethes 3.5 për qind.

“Fatkeqësisht ne kemi një ekonomi në rënie, rritje ekonomike prej rreth 3.5 për qind me eksport të ulët, me investime më të ulëta se në të kaluarën dhe pa perspektivë zhvillimore, andaj për këto takime ka qenë shumë e rëndësishme që të marrim inputet e ndërmarrësve, të marrim inputet e bizneseve lokale për të ofruar në të ardhmen vërtetë, jo vetëm programet dhe projektet tona konkrete, por për t’i bërë pjesë të një modeli të ri qeverisës, të cilin si parti po e implementojmë në nivelin lokal, e të cilin do ta zbatojmë edhe në nivelin qendror”, ka theksuar Krasniqi.

Sipas një njoftimi i lëshuar nga PDK, Krasniqi, ka vlerësuar se iniciativa private e ndërmarrëve të Komunës së Vitisë po arrijnë të krijojnë vende të punës dhe po mundësojnë zhvillimin ekonomik lokal, përkundër mungesës së mbështetjes nga Qeveria e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore