Lajme

Krasniqi premton më shumë transparencë komunale


Ministri i Administrimit i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Ministri i Administrimit i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ka deklaruar se do të ketë më shumë transparencë komunale dhe shtim të buxhetit për komunat në katër vitet e ardhshme.

Kështu deklaroi ai duke folur në lidhje me raportin e auditimit, “funksionimi i sistemit të Grantit të perfomancës komunale dhe menaxhimi i projekteve të financiuar nga donatorët për vitin 2021”.

“Është hera parë që performanca do të bëhet përmes ligjit dhe është viti i parë që është bërë vizita në komuna dhe janë verifikuar te dhënat nga ato. Jemi në procesin e hartimit të akteve të brendshme sipas kërkesës së ZKA. Ky sistem do të shërbejë edhe si një platformë e rëndësishme e të dhënave për qytetarët mbi transparencën”, tha ai.

Me ligjin e ri ai bëri të ditur se të gjitha komunat do të jenë të detyruara ta raportojnë perfomancën e tyre.

“Më ligjin e ri te gjitha komunat janë te detyruara të raportojnë për performancat e tyre. Përformanca komunale është një ndër shtyllat kryesore të ministrisë”.

Kurse theksoi se për katër vjet janë ndarë 30 milionë euro.

“Për katër vitet e ardhshme janë mbi 30 milionë euro, 15 milionë nga qeveria dhe 15 milionë nga donatorët të cilët do të jenë një sfond solid për t’i mbështetur komunat. Të gjitha komunat kanë qenë bashkëpunuese, përjashtim komunën e Vitisë. 38 komunat e Kosovës janë te detyruara që të raportojnë për performancën komunale”.

Ndryshe Kuvendi i Kosovës me 64 vota pro, të enjten e 17 nëntorit të 2022 kishte miratuar në parim Projektligjin për ndarjet buxhetore për buxhetin e Kosovës për vitin 2023.

Qeveria e Kosovës e ka cilësuar buxhetin e vitit 2023 si buxhetin më të madh ndonjëherë në historinë e Kosovës.

Buxheti 3.2 miliardësh, në anën tjetër është kritikuar mjaft shumë nga ana e partive opozitare.

Sipas tyre buxhetit i mungon ambicia zhvillimore, nuk ofron zgjidhje për qytetarët, nuk është buxhet real, nuk përputhet me nevojat e qytetarëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore