Kosova

Krasniqi: Mungesa e vizionit të Qeverisë, shkak pse të rinjtë po largohen


Memli Krasniqi.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, konsideron se mungesa e vizitonit nga Qeveria e Kosovës është njëra nga tri shkaqet që të rinjtë nuk po shohin të ardhmen në Kosovë.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ në 53 vjetorin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, kreu i PDK-së ka përmendur edhe arsyeje të tjera që dëshpërojnë të rinjtë.

“Fatkeqësisht, sot, shumë studentë të jashtëzakonshëm nuk po e shohin të ardhmen në Kosovë. Shkaqet tashmë janë të mirënjohura: mundësitë e kufizuara të punësimit, humbja e shpresës dhe mungesa e vizionit qeverisës”, ka shkruar Krasniqi.

Sipas tij, rikthimi i besimit te të rinjtë për të ardhme të sigurt e të mirëfilltë në Kosovë duhet të jetë prioritet i të gjithëve.

“Prandaj, nëse ekziston sot një prioritet për të cilin duhet të përkushtohemi të gjithë – padyshim është rikthimi i besimit tek të rinjtë për të ndërtuar një të ardhme të sigurt dhe të mirëfilltë në vendin tonë. Në këtë drejtim, është obligim dhe përgjegjësi e secilit prej nesh që të veprojmë dhe të angazhohemi”.

Ai ka shtuar se “ndërtimi i një shteti i cili krijon më shumë mundësi për përmbushjen e potencialit rinor – është i vetmi çelës për të mbajtur rininë tonë të mrekullueshme në vend – e për të cilën kemi aq shumë nevojë”.

Ndër të tjera, Krasniqi u shpreh se rinia ka qenë forca shtytëse në rrugën e lirisë dhe pavarësisë.

“Rinia duhet të jetë edhe energjia e cila ndërton dhe zhvillon vendin tonë. Së bashku mund t’ia dalim – besoni në Kosovë!”.

Ndryshe, çdo vit nga buxheti i shtetit të Kosovës ndahen mijëra euro për shkollimin e një nxënësi apo studenti, mirëpo sërish të njëjtit kanë vështirësi për t’u përshtatur me tregun e punës.

Se përse është kjo vështirësi e punësimit të të rinjve pas diplomimit, profesorët universitarë e sqarojnë në forma të ndryshme, njëra ndër to është edhe mungesa e aftësive në praktikë.

Diplomat universitare që mbushin Kosovën me të papunë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore