Lajme

Krasniqi mbledh kryetarët e degëve: Mobilizim maksimal për t’i sjellë vendit një Qeveri të re


Foto: PDK

Mobilizim maksimal për t’i sjellë Kosovës një qeveri të re.

Ky ka qenë mesazhi që Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ua ka dhënë kryetarëve të degëve të këtij subjekti politik, gjatë takimit të së mërkurës, ku prezent ka qenë edhe kandidati për kryeministër nga radhët e kësaj partie, Bedri Hamza.

Përveç kësaj, siç ka njoftuar PDK-ja në një komunikatë për media, Krasniqi i ka njoftuar kryetarët e degëve në lidhje me vendimet e marra në mbledhjen e fundit të Këshillit Drejtues, si zgjerimi i kryesisë me anëtarë të rinj dhe nominimi i Hamzës kandidat për kryeministër.

“Krasniqi në këtë takim kërkoi që kryetarët e degëve të fillojnë parapërgatitjet për zgjedhjet nacionale, duke u mobilizuar me të gjitha kapacitetet për fitoren e PDK-së për t’ia sjellë Kosovës një Qeveri të re – të aftë dhe kompetente”, thuhet në njoftim.

Zgjedhjet e ardhshme parlamentare – në kushte normale – do të duhet të mbaheshin në shkurt të vitit 2025, mirëpo partia në pushtet, pra Lëvizja Vetëvendosje, dhe opozita kanë shprehur gatishmërinë që të njëjtat të mbahen më herët.

Në këtë drejtim, PDK-ja ka ndërmarrë hapa konkretë duke e mandatuar Hamzën si kandidat për kryeministër, dhe duke propozuar 9 qershorin si datë për zgjedhjet e reja parlamentare.

Lëvizjet “menaxheriale” të PDK-së

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore