Lajme

Krasniqi: Komuna e Gjakovës më e ndëshkuara nga Qeveria


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se komuna e Gjakovës është “më e ndëshkuara nga Qeveria”, meqë sipas tij, për këtë qytet nuk është ndarë asnjë cent për investime kapitale për vitin 2024.

“Fatkeqësisht edhe Gjakova është ndër komunat e ndëshkuara nga Qeveria Kurti, sepse edhe për Gjakovën nuk është ndarë asnjë cent për investime të reja kapitale për vitin 2024. Është për keqardhje që nuk ka një mbështetje për qytetarët e Komunës së Gjakovës, ashtu siç nuk ka pasur as për qytetarët e komunave të tjera”, tha ai pasi ka vizituar qendrat “BoneVet” e “Jakova Inovation Center”.

“Është po ashtu për keqardhje që s’ka mbështetje as për ndërmarrësit e Komunës së Gjakovës, të cilët vërtetë me sfida të shumta, po arrijnë që të krijojnë vende pune, të mbajnë njerëzit në Gjakovë dhe po ashtu, të ndikojnë në zhvillimin ekonomik lokal”, shtoi ai.

Përkundër kësaj, kreu i PDK-së u nda i kënaqur nga të arriturat e ndërmarrësve dhe inovatorëve dhe u zotua që PDK do ta rikthej në nivel qendror modelin efektiv të qeverisjes, që mban fjalën, kryen punë edhe ua lehtëson jetën e qytetarëve.

“Unë jam i impresionuar nga puna që është bërë në të gjitha këto qendra e ndërmarrje të cilat i vizitova sot dhe me të vërtetë, na takon secilit, pavarësisht pozicionit, që të jemi pranë ndërmarrësve, të jemi pranë inovatorëve, që të jemi pranë qytetarëve, për të lehtësuar jetën e tyre, sepse modeli qeverisës ekzistues është model, i cili ka sjellë vetëm regres”.

Ai ka potencuar se PDK-ja beson do ta rikthej modelin efektiv të qeverisjes, si një qeveri e cila e mban fjalën, që kryen punë edhe që lehtëson jetën e qytetarëve.

Gjatë qëndrimit të tij në Gjakovë, Krasniqi ka vizituar edhe organizatën joqeveritare “Medika” dhe verarinë “Risons”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore