Lajme

Krasniqi i PSD-së ia ‘pret’ rrugën Kusari-Lilës: A po koordinoheni ende me Radojiçiçin?


Ilustrim/Albanian Post

Anëtari i Kryesisë së Partisë Socialdemokrate, Frashër Krasniqi, gjatë së mërkurës ia ka ‘prerë’ rrugën shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, derisa po ecte rrugëve të Prishtinës, ndërsa e ka pyetur në mos Qeveria e Kosovës po ‘koordinohet’ akoma me kryekriminelin serb, Milan Radojiçiç.

Në videon e publikuar nga anëtari i PSD-së në llogarinë e tij në “Facebook”, ai dëgjohet duke e pyetur kryedeputeten e Lëvizjes Vetëvendosje për komunikimin që ka pasur me përfaqësuesit e Listës Serbe, Slavko Simiç dhe Milan Radojiçiç, në lidhje me disa nga çështjet politike në Kosovë, por kjo e fundit s’i përgjigjet.

Krasniqi në përshkrimin e videos ka shkruar se “heshtjen e saj e mora si pohim”, ndërsa ka shtuar se Qeveria e Kosovës nën udhëheqjen e liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, përveçse “koordinimin me Radojiçiçin e ka në nivel”, ka konsideruar se ekzekutivi kosovar “veç në publik është kundër Serbisë”.

Në audio-incizimet e publikuara nga “Nacionale” flitet për takime dhe koordinime që deputetja e partisë në pushtet i ka bërë në emër të Qeverisë së Kosovës me Listën Serbe dhe kriminelin e sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe.

Publikimi i audio-incizimeve ka nxitur reagimin e opinionin publik në Kosovë, ndërsa për shkak se protagonistët e audio-incizimeve dëgjohen duke folur edhe për çështjen e veteranëve të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës, më 15 korrik, sheshet kryesore të Prishtinës ishin mbushur me protestues.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore