Sport

Krasniqi afër transferimit në klubin e madh italian, e thotë menaxheri i tij


E ardhmja e Ermal Krasniqit pritet të jetë në kampionatin italian, Serie A.

Menaxheri i Krasniqit, Giovanni Becali, ka thënë se është një skuadër italiane që synon transferimin e futbollistit kosovar.

“Një klub është i interesuar për ta transferuar Krasniqin. Unë kam një mik me origjinë shqiptare që ka një pozitë në një ekip të rëndësishëm dhe diçka mund të arrihet”, ka thënë Becali sipas mediumit rumun, “SportMedia.ro”.

Pra, nga kjo lë të kuptohet që skuadra e Lazio-s mund të jetë e interesuar për transferimin e ish-futbollistit të Ballkanit, duke qenë se Drejtor Sportiv i tyre është Igli Tare.

Dhe, ishte pikërisht skuadra e Lazio-s që u përballe me CFR Cluj në fazën e 1/16-ve të Ligës së Konferencës, ku Krasniqi pati paraqitje të mrekullueshme.

Ndërkaq, 24-vjeçari po kalon në formë të mrekullueshme në aventurën e tij me klubin rumun.

Që nga transferimi në afatin kalimtar të janarit, ai ka luajtur në 11 ndeshje në Ligën e Rumunisë dhe në Ligën e Konferencës, prej të cilave ka shënuar katër gola dhe ka dhuruar një asistim.

Kujtojmë që Ballkani në janar e shiti atë për shumën e 200 mijë eurove dhe zotëron gjithashtu 15% të një transferimi të mundshëm.

Klubi i Cluj i kërkon 4 deri në 5 milionë euro për kosovarin, që do të thotë se nëse shitet për atë shumë, atëherë Ballkani do t’i arkëtonte rreth 700 mijë euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore