Zgjedhjet në Kosovë

KQZ: Të dielën fillon numërimi i votave me postë


Ilustrim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në një njoftim për media ka thënë se të dielën e 24 tetorit në ora 11:00 në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) do të fillojë procesi i numërimit të votave nga jashtë Kosovës.

Këto fletëvotime kanë ardhur në Kosovë përmes postës gjatë periudhës 15 shtator – 15 tetor 2021.

KQZ në mbledhjen e së shtunës së 23 tetorit ka bërë të ditur se ka aprovuar 9 mijë e 610 pako me fletëvotime të ardhura nga jashtë, ndërsa ka refuzuar 1 mijë e 324 nga gjithsej 10 mijë e 934 fletëvotime të pranuara.

Shefi i sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, ka thënë se numërimi i votave me postë do të fillojë në ditët e ardhshme.

“Janë 10 mijë e 934 zarfe me fletëvotime të ardhura përmes postës, numri i pakove të aprovuara është 9 mijë e 610, ndërkaq i atyre të refuzuara është 1 mijë e 324. Në ditët në vijim do të fillojë procesi i numërimit të votave me postë”, ka thënë Ahmetaj gjatë mbledhjes së KQZ-së.

Mbledhja e KQZ-së

Mbledhja e KQZ-së mes tensioneve dhe akuzave për vjedhje votash

Mbledhja e KQZ-së ka kaluar nëpër tensione të larta duke akuzuar përfaqësuesit e subjekteve politike njëri-tjetrin.

Akuzat nuk kanë munguar edhe ndaj zyrtarëve të KQZ-së.

Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në KQZ kanë akuzuar Partinë Demokratike të Kosovë (PDK) si dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) për vjedhje votash në vendvotimin në Fushë-Kosovë.

Në mbledhjen e kaluar të KQZ-së vendvotimi në Fushë-Kosovë numër 0906E/01D, është vendosur të shkojë në rinumërim, për shkak se nuk ka mundur të procedohet si i rregullt.

Ndërsa, sipas Florian Dushit, përfaqësues i LDK-së ky vendvotim është dërguar pa të drejtë në rinumërim.

“Është shumë me rëndësi me ditë qe hetimi përfshin edhe rinumërimin. Ju pa të drejtë, e keni quar në hetim. Ai i ka plotësuar të gjitha kriteret për tu proceduar si i rregullt”.

Ndërsa, kryeshefi i Sekretaritatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj bëri të ditur se policia e Kosovës në ditën e zgjedhjeve kishte konfiskuar 22 fletëvotime të dëmtuara nga ky vendvotim.

“Sekretariati ka bërë hetim dhe pastaj rinumërim. E këtij vendvotimin. Ekipi i hetimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) ka analizuar fletëvotimet. Së pari ka shikuar vlefshmërinë e tyre, a i takojnë atij vendvotimi. Nga vlerësimi vërtetohet se fletëvotimet janë te vulosura, mbajnë numrat serik të atij vendvotimi”, ka thënë Ahmetaj.

Ahmetaj është akuzuar nga Kurteshi për përfshirje siç ka thënë ai në “krim të organizuar duke manipuluar procesin”.

Ai ka kërkuar nga kryesuesi Radoniqi disa herë që të ja tërheq vërejtjen  Kurteshit për akuzat e pa baza ndaj tij.

Radoniqi për të qetësuar situatën kishte kërkuar pauzë për disa minuta, në mënyrë që të ketë mundësi të vazhdoj mbledhja me pikat e rendit të ditës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore