Lajme

Kosovë: Përplasje në KQZ, akuza për vjedhje votash


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Alim Rama, përfaqësues i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ ka akuzuar Partinë Demokratike të Kosovë si dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës për vjedhje votash në vendvotimin në Fushë-Kosovë.

Në mbledhjen e kaluar të KQZ-së vendvotimi në Fushë-Kosovë numër 0906E/01D, është vendosur të shkojë në rinumërim, për shkak se nuk ka mundur të procedohet si i rregullt.

Rama ka thënë se ky vendvotim është dëmtuar aq shumë sa nuk duhet të kalojë.

“Pres një hetim të Prokurorit. Mendoj që këtu ka ndodhë diçka shumë e madhe sesa që e kemi në raportin e sekretariatit. Pse është hapur kutia pa vendim të KQZ-së. Në mbledhjen e fundit kemi kërkuar hetim. Ky vendvotim është aq i dëmtuar sa që nuk duhet te kalojë”, ka deklaruar Rama.

Ndërsa, sipas Florian Dushit, përfaqësues i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ky vendvotim është dërguar pa të drejtë në rinumërim.

“Është shumë me rëndësi me ditë qe hetimi përfshin edhe rinumërimin. Ju pa të drejtë, e keni quar në hetim. Ai i ka plotësuar të gjitha kriteret për tu proceduar si i rregullt”.

Sipas tij, “duke bërë kalkulime të votave të kandidatëve provojmë me dramatizu një situatë për një vendvotim i cili del se i plotëson kriteret. Kërkoj nga ky institucion që të shmanget nga çështjet politike”.

Këto deklarata kanë nxitur reagimin e përfaqësuesit të LVV-së, Sami Kurteshi i cili ka thënë se ka pas vjedhje industriale në këtë vendvotim nga PDK- ja e LDK-ja.

“Këtu ka pas përpjekje për vjedhje industriale, këtu PDK-ja dhe LDK-ja. Në një vendvotim në Fushë Kosovë, në Harilaq komisionarët e PDK-së dhe LDK-së kanë filluar me i vulos fletëvotimet e përdorura, do të thotë me vjedhë, me i vulos pa qenë njerëzit dhe kur iu është tërhequr vërejta, i kanë shqyer. Kemi përpjekje për vjedhje, nuk do të ngjajë më kjo”, është shprehur ai.

Mbledhja e KQZ-së

Sipas tij deri sa të përfundojnë hetimet nuk mund të vazhdojë puna në një vendnumërim.

“Ka marrë njerëz policia, ka arrestuar njerëz për shkak të shkeljes së kodit të zgjedhjeve, qe është vepër penale. KQZ-ja e sekretariati s’kanë të drejtë t’i tejkalojnë ato. Këtu kemi një vepër penale dhe deri te kryhet hetimi penal nuk mund të vazhdojë puna në një vendnumërim”.

“Z.Kryeshef çka të flisni mos e tërhiqni të vërtetën pa e pru incizimin dhe procesverbalin. Nuk i besojmë sekretariatit dhe KQZ-së sepse ka bërë shkelje të renda më 14 shkurt”.

Kryeshefi i Sekretaritatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj bëri të ditur se policia e Kosovës në ditën e zgjedhjeve kishte konfiskuar 22 fletëvotime të dëmtuara nga ky vendvotim.

“Sekretariati ka bërë hetim dhe pastaj rinumërim. E këtij vendvotimin. Ekipi i hetimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) ka analizuar fletëvotimet. Së pari ka shikuar vlefshmërinë e tyre, a i takojnë atij vendvotimi. Nga vlerësimi vërtetohet se fletëvotimet janë te vulosura, mbajnë numrat serik të atij vendvotimi”, ka thënë Ahmetaj.

Ai ka shtuar se, “Nuk është cenuar integriteti i fletëvotimeve. 22 fletëvotime gjatë ditës janë dëmtuar dhe janë futur në zarfin 1. Numri i fletëvotimeve të hedhura në kuti është i njëjtë me numrin e nënshkrimeve”.

Më 21 tetor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka vendosur që të dërgoj në rinumërim 23 vendvotime në total, të cilat nuk kanë mundur të procesohen si të rregullta, pasi ka pasur probleme të natyrave të ndryshme kryesisht teknike.

Në zgjedhjet lokale të mbajtura gjatë ditës së diel të 17 tetorit, nga numri i përgjithshëm i 38 komunave të Kosovës, 17 komuna kanë shënuar fitore, ndërsa 21 komuna shkojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore