Shqipëria

KPK-ja shkarkon gjyqtarin e Gjirokastrës


Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) të martën e 10 majit ka shkarkuar nga detyra gjyqtarin e Gjirokastrës, Guximtar Boçi.

Trupa, e përbërë nga Suela Zhegu, Brunilda Bekteshi dhe Lulzim Hamitaj, pas seancës dëgjimore të 4 majit, vendosi që ta shkarkojë nga detyra Boçin.

Ky i fundit ishte pezulluar si gjyqtar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë në vitin 2016, për shkak të një video – përgjimi ku kërkonte favore seksuale në këmbim të një vendimi gjyqësor.

40-vjeçarja kishte një çështje pronësie të hapur në gjykatë asokohe.

KLD-ja, sakaq, e kishte shkarkuar si kryetar të Gjykatës së Gjirokastrës.

Ndërsa në vitin 2017, prokuroria e pushoi procedimin penal ndaj Boçit dhe, në 2018-ën, ai fitoi pafajësinë në Gjykatën e Apelit të Vlorës.

Që prej asaj kohe, ai ka kërkuar të rikthehet në detyrë, por Këshilli i Lartë Gjyqësor i ka rrëzuar kërkesat e tij.

Boçi ka shërbyer në Gjykatën e Gjirokastrës që prej vitit 1996.

Kujtojmë se, një ditë më parë, KPK-ja shkarkoi edhe prokurorin e Gjirokastrës, Emëror Kasajn.

Emëror Kasaj
Pasqyra financiare

KPK-ja konstatoi një shtëpi me sipërfaqe 121 m2 në një fshat të Gjirokastrës.

Në vitin 2003, Boçi ka deklaruar se, për ndërtimin e banesës janë shpenzuar 1.5 milionë lekë, por nga analiza financiare paraprake ka rezultuar balancë negative në shumën 1.3 milionë lekë.

Në vijim u konstatua se Boçi ka përfituar një tjetër shesh ndërtimi me sipërfaqe 400 m2 në Gjirokastër, ndërkohë që e zotëronte një.

Në seancë u evidentua një apartament me sipërfaqe 71 m2 në Tiranë, në pronësi të bashkëshortes së Boçit.

Për këtë pasuri, subjekti ka deklaruar se bashkëshortja zotëron ½ pjesë takuese të të atit, të përfituar me trashëgimi testamentare.

Hamitaj vërejti se, në testamentin e babait të ndjerë të bashkëshortes së subjektit, përcaktohej se apartamenti në Tiranë do të trashëgohej vetëm nga vajza e tij. Ndërsa pasuritë e tjera i ka ndarë në mënyrë të barabartë mes gjithë trashëgimtarëve.

Në analizën e saj, KPK-ja vërejti se apartamenti është blerë nga vjehrri i ndjerë i Boçit në vitin 2012 kundrejt çmimit 9.5 milionë lekë.

Nga hetimi, Komisioni ka konstatuar se prindërit e bashkëshortes së subjektit nuk kanë pasur burime financiare të mjaftueshme për krijimin e kësaj pasurie.

Boçi u pyet lidhur me një shtëpi banimi dhe truall në një fshat të Bashkisë Gjirokastër, pasuri për të cilën ka deklaruar se është në gjendje të pabanueshme.

Ai deklaroi se shtëpia kishte qenë e rrënuar që prej vitit 2003.

Boçit i janë kërkuar shpjegime për mosdeklarimin e burimeve të shpenzuara për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 57 m2 në Gjirokastër nga vajza e tij dhe bashkëjetuesi i saj, kundrejt çmimit 2 milionë lekë.

Nga analiza financiare paraprake ka rezultuar se vajza e subjektit dhe bashkëjetuesi i saj janë gjetur me balancë negative në shumën 1.8 milionë lekë për blerjen e apartamentit në Gjirokastër.

Për blerjen e një apartamenti tjetër në Sarandë nga vajza dhe bashkëjetuesi i saj për çmimin 3.5 milionë lekë, ku si burim krijimi ka shërbyer edhe një kredi në shumën 2 milionë e 950 mijë lekë – nuk ka rezultuar balancë negative.

Sipas KPK-së, Boçi ka rezultuar me balancë negative në vlerën 400 mijë lekë për blerjen e një automjeti tip Benz për çmimin 600 mijë lekë dhe në pamundësi në shumën 92 mijë lekë për krijimin e një depozite 2.3 milionë lekë.

Nga analiza financiare e përgjithshme ka rezultuar balancë negative në vlerën totale 2.1 milionë lekë për familjen e subjektit të rivlerësimit dhe 900 mijë lekë për vajzën e tij në blerjen e apartamentit në Gjirokastër.

Nga ana tjetër gjyqtari Boçi e ka kundërshtuar analizën e KPK-së për këto pasuri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore