Lajme

Kovaçveski thotë se do t’i përmbahet marrëveshjes me BDI-në për kryeministrin shqiptar


Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, beson se në maj të vitit të ardhshëm do të ketë hapësirë të mjaftueshme për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, teksa ka theksuar se do t’i përmbahet marrëveshjes që ka me Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI), për kryeministrin shqiptar, kjo para se të shkohet në zgjedhjet e reja.

Kovaçevski ka theksuar se është duke u punuar për të ashtuquajturin “Front Evropian”, por se nuk ka dhënë detaje nëse i është ofruar BDI-së – partisë më të madhe shqiptare në Maqedoni të Veriut – që të shkojnë me kandidat të përbashkët për president, me lista të përbashkëta në zgjedhjet parlamentare, në këmbim të asaj që partia e Ali Ahmetit të heq dorë nga marrëveshja për kryeministër shqiptar në 100 ditët e fundit të kësaj Qeverie.

“Ne me BDI-në kemi marrëveshje të qartë të koalicionit që është publikuar në opinion në vitin 2020, gjithsesi se flitet me ta për modalitetet, megjithatë mendoj se qëllimi për realizimin e koalicionit evropian që do të udhëheqë një front të gjerë në lidhje me promovimin e kësaj ideje, është ideja kyçe që do të bind partitë në zgjedhjet e ardhshme”, ka thënë Kovaçevski, transmeton “TV21”.

“Rreth të gjitha detajeve dhe në lidhje me të gjitha zgjidhjet në kuadro që do të vijojnë në periudhën e ardhshme, do të shpërndahen me publikun ashtu siç do të miratohen nga ana e organeve zyrtare të partive politike”, shtoi.

Sipas mediave në Maqedoni të Veriut, zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare pritet që të mbahen më 8 maj.

Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale pritet të mbahet më 24 prill, ndërsa i dyti, së bashku me zgjedhjet parlamentare më 8 maj.

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ka paralajmëruar se më 27 shkurt do t’i shpallë zgjedhjet presidenciale, kjo pasi që i përfundon mandati presidentit aktual Stevo Pendarovski.

Sa i përket kryeministrit shqiptar, kjo ka qenë pjesë e marrëveshjes qeverisëse në mes të LSDM-së dhe Bashkimit Demokratik për Integrim – të cilët kishin garuar në zgjedhjet e kaluara me idenë e kryeministrit shqiptar – më 2020.

Sipas marrëveshjes, 100 ditët e fundit të qeverisjes parashihet që kryeministri të jetë shqiptar – për herë të parë në histori të Maqedonisë së Veriut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore