Lajme

Kovaçevski për kandidaturën e LVV-së në zgjedhjet e RMV-së: E paparë pjesëmarrja e një partie në zgjedhjet e një vendi tjetër


Albin Kurti dhe Dimitar Kovaçevski

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në një intervistë për gazetën maqedonase “Sloboden Pecat” të hënën, komentoi mbi zyrtarizimin e kandidaturës së Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) – partia në pushtet në Kosovë – në garën zgjedhore në Maqedoninë e Veriut në kuadër të koalicionit opozitar shqiptar Lidhja Evropiane për Ndryshim (LEN).

Kryetari i Unionit Socialdemokrat të Maqedonisë së Veriut (LSDM), theksoi se partitë simotra nga vendet e tjera edhe mund të mbështesin një parti politike në një vend të caktuar duke mos paraqitur asnjë problem, porse kurrë nuk ka ndodhur që një parti politike nga një vend tjetër të marrë pjesë në zgjedhje në një vend tjetër, sikurse në rastin në fjalë.

“Nuk është e panjohur që partitë simotra të marrin pjesë në mbështetje politike të partive në shtetet tjera. Megjithatë, deri më tani nuk kam parë parti nga vende të tjera të marrin pjesë në një proces zgjedhor në një vend tjetër”, deklaroi të hënën kreu i ekzekutivit maqedonas, derisa shtoi se kjo do të shkaktonte një precedent të padëshiruar në të ardhmen.

“Duhet të shihet se çfarë saktësisht nënkuptohet, sepse nëse partitë politike nga vendet fqinje fillojnë të marrin pjesë në zgjedhjet në vendin tonë, mund të ndodhë që të dëshirojnë të marrin pjesë edhe nga vende të tjera, të cilat mendoj se do të paraqisnin një lloj dinamike të padëshirueshme”, përfundoi Kovaçevski, shefi i ekzekutivit socialdemokrat të Maqedonisë së Veriut.

Bekim Qoku, këshilltar politik për Maqedoninë e Veriut në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, potencoi të dielën se partia nën udhëheqjen e kryeministrit kosovar, Albin Kurti, do të jetë “shtylla e katërt shqiptare” kundër Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) – forca kryesore politike e shqiptarëve – duke synuar kështu rikonfigurimin e forcave politike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore