Lajme

Kovaçevski dorëhiqet të enjten – Xhaferi pritet të emërohet kryeministër


Dimitar Kovaçevski, Talat Xhaferi dhe Ali Ahmeti

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, njoftoi të martën se të enjten e 25 janarit do të japë dorëheqje, ndërsa dorëheqjen do ta paraqesë edhe kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, i cili pritet të emërohet kryeministër i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për 100 ditë, deri në zgjedhjet parlamentare që pritet të mbahen më 8 maj të ketij viti.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut pritet që të premten të zgjedhë kryeparlamentarin e ri, Jovan Mitreski, i cili aktualisht është kryetar i grupit parlamentar të Lidhjes Social-Demokrate (LSDM), ndërsa të dielën deputetët maqedonas do të votojnë për qeverinë teknike të Maqedonisë së Veriut – për herë të parë nën drejtimin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).

Përveç LSDM-së dhe BDI-së, aktualisht në pushtet, në qeverisjen teknike duhet të jetë edhe opozita (VMRO-DPMNE), të cilës i takojnë Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria për Punë dhe Politikë Sociale dhe tre zëvendësministra me kompetenca të veçanta, që do të thotë se ministrat nuk do të mund të marrin asnjë vendim pa miratimin e tyre.

E paqartë mbetet pjesëmarrja e opozitës nacionaliste nën drejtimin e liderit të VMRO-DPMNE, Hristijan Mickovski, në qeverinë teknike të Maqedonisë së Veriut sepse ai është shprehur kundër që ekzekutivi të udhëhiqet nga një shqiptar, duke paralajmëruar se nuk do t’i dërgojnë në legjislativin maqedonas ministrat e propozuar në qeverinë 100-ditëshe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore