Rajoni

Kovaçevski: “Ballkani i Hapur” lehtëson jetën e qytetarëve, tashmë s’ka kufij midis Serbisë, Shqipërinë dhe Maqedonisë Veriore


Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, gjatë fjalimit të tij në Forumin Ekonomik në Shkup, ka thënë se nisma “Ballkani i Hapur” lehtëson dhe përmirëson jetën e qytetarëve, raporton Klan Macedonia.

“Deri tani e kam thënë, por sërish do të them. Tashmë nuk është çështja nëse Ballkani Perëndimor do të bëhet pjesë e BE-së, por kur do të bëhet pjesë e BE-së. Forumin Ekonomik e shoh si vazhdim respektivisht si plotësim të nismave të përbashkëta rajonale, në mesin e të cilëve Ballkanin e Hapur, ku përmes projekteve të ndryshme, lehtësojmë dhe përmirësojmë jetën e qytetarëve”, tha Kovaçevski.

Kovaçevski ka falënderuar partnerët strategjik SHBA-të dhe BE-në, siç u shpreh, për mbështetjen e pa rezervë për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.

“Vendi ynë, bashkë me Shqipërinë dhe Serbinë tashmë është duke funksionuar si BE në miniaturë. Kohë më parë Kuvendi i RMV-së ratifikoi zgjidhjet ligjore që dolën nga nisma “Ballkani i Hapur”. Me këtë tashmë nuk ka kufij midis këtyre tre vendeve. “Ballkani i Hapur” është realitet për RMV-në, Serbinë dhe Shqipërinë. Është liberalizuar tregu rajonal i punës”, deklaroi ai.

Ai në margjinat e Forumit Ekonomik që mbahet në Shkup, ka takuar Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri Kovaçevski gjatë takimit ka përshëndetur marrëveshjen e arritur për pranimin e propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, duke përmendur gatishmërinë e RMV-së në rolin e kryesuesit të OSBE-së që të ndihmojë procesin, veçanërisht në fazën e implementimit të pjesëve të caktuara të marrëveshjes eventuale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore