Lajme

Kosovë: “Zhduket” Todosijeviç në ditën që pritej ta vuante dënimin


Ivan Todosijeviç

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka konfirmuar për Albanian Post se është pranuar kërkesa e avokatit Nebojsha Vllajiç, për të zgjatur afatin për mbajtjen e dënimit me burg për Ivan Todosijeviçin, deputet i Kuvendit të Kosovës nga Lista Serbe, me arsyetimin se “gjendet jashtë vendit”, edhe pse këtë të mërkurë të 6 tetorit është dashur që të lajmërohet për vuajtje të dënimit.

“Ju njoftojmë se procedura për ekzekutim të sanksionit penal ndaj të dënuarit I.T. është në procedurë e sipër. Gjykata Themelore në Prishtinë ka pranuar njoftimin nga avokati mbrojtës i të dënuarit I.T., se i njëjti ka udhëtuar jashtë vendit dhe ka kërkuar shtyrje të afatit për paraqitje në vuajtje të dënimit me burg”, tha zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.

“Gjykata ju vë në pah se nëse këto informacione lansohen në publik, mund të dëmtojnë procedurën e ekzekutimit të sanksionit penal, për rastin në fjalë”.

Por, avokati i tij, Nebojsha Vllajiç, kishte theksuar se Todosijeviç nuk ka marrë fare ftesë për ta vuajtur këtë dënim, ndonëse drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, ka konfirmuar të kundërtën në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, më 24 shtator.

“Ivan Todosijeviq ka marrë ftesën që më 6 tetor, në orën 12, të lajmërohet në qendrën e paraburgimit në Mitrovicë për të vuajtur dënimin me dy vjet burgim”, ka thënë Petkoviç, duke pretenduar se kjo është “goditje e re nga Prishtina”.

Më 24 gusht, Todosijeviç është dënuar me dy vjet burgim, për shkak të mohimit të masakrës së Reçakut, në të cilën forcat serbe kanë vrarë 45 shqiptarë të Kosovës, më 1999.

Autoritetet serbe, në krye me presidentin Aleksandar Vuçiç, thonë se Todosijeviç “është dënuar padrejtësisht vetëm pse e ka thënë të vërtetën”.

Ndërkaq më 25 gusht, Vuçiç, në një video-regjistrim të publikuar në profilin e Instagramit “buducnostsrbije” (Ardhmëria e Serbisë), ka vlerësuar se Todosijeviçin “e kanë dënuar gjyqtarët shqiptarë, ndonëse, sipas Marrëveshjes së Brukselit, kanë qenë të detyruar ta gjykojnë dy gjyqtarë serbë dhe një shqiptar”.

Atëbotë, ai u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës që të jenë të bashkuar për dhe rreth Todosijeviçit, “ashtu siç ne në Serbinë qendrore do të jemi pranë tij, familjes së tij dhe pranë gjithë popullit serb në Kosovë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore