Lajme

Kosovë: Vendimi për mbyllje, i papranueshëm për shoqatën e gastronomisë


“Vendimi për mbylljen e gastronomisë, qendrave tregtare, palestrave sportive dhe shkollave nga data gjashtë prill e deri me datën 18, është vendim arbitrar, i njëanshëm dhe i papranueshëm për gastronominë e Kosovës”, ka shkruar Petrit Kllokoqi, kryetar i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës.

Ai ka treguar se pas takimit të Shoqatës së Gastronomëve  me ministrin e shëndetësisë, Arben Vitia, ministren e industrisë, ndërmarrësisë dhe tregtisë Rozeta Hajdari, dhe ministrin e financave, Hekuran Murati, përkundër faktit që ishin të ftuar, nuk u konsultuan por u informuan për vendimin e mbylljes së këtyre aktiviteteve.

“Ne kundërshtojmë fuqishëm këtë vendim dhe do të vazhdojmë të kundërshtojmë edhe më tutje çdo vendim që mirret njëanshem pa konsultim”, ka shkruar Kllokoqi.

Tutje ai ka njoftuar se të hënën, në ora 14:00, mbahet mbledhja e Këshillit Drejtues të Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, ku do të vendoset për hapat e mëtutjeshëm.

Ndërkaq, Oda e Afarizmit të Kosovës, ka reaguar kundër masave të reja që pritet të hyjnë në fuqi nga java e ardhshme.

OAK kërkon nga institucionet e vendit që të gjinden mënyra për përkrahjen financiare të kompanive të cilat do të ndikohen direkt nga këto masa.

“Të mos ketë asnjë kufizim pa përkrahje paraprake financiare”, shkruhet në njoftimin e OAK.

Si rrjedhojë e gjendjes shumë të vështirë me të cilën po përballet sektori privat si pasojë e pandemisë dhe përkrahjes së mangët që është ofruar deri më tani nga ana e institucioneve, rrezikohet jo vetëm humbja e vendeve të punës por edhe mirëqenia dhe operimi i mëtejshëm të operatorëve ekonomik.

“OAK konsideron që sektori privat aktualisht është shumë i rënduar si rezultat i pandemisë, andaj nuk ka kapacitete që të përballoj i vetëm pasojat e mëtutjeshme shkaktuar nga pandemia, ku si rezultat i mospërkrahjes financiare bizneset e kanë të pamundur që të mbajnë në punë numrin e të punësuarve që kanë pasur deri më tani”, vijon njoftimi.

Ndërkohë është duke u mbajtur edhe mbledhja virtuale me kryetarët e komunave të Kosovës, dhe me ministrin Vitia.

Megjithatë nuk ka ende ndonjë vendim zyrtar sa i përket vendimit të paralajmëruar për mbyllje.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore