Lajme

Kosovë: Vdes edhe një shtatzënë nga Coronavirusi


Klinika Infektive në Kosovë

Një shtatzënë ka vdekur mbrëmjen e së premtes si pasojë e COVID-19.

L.S, 28-vjeçare, ishte duke u trajtuar në njësinë intensive të QKUK-së, ndërsa ishte 25-javëshe shtatzënë.

Lajmin për vdekjen e saj e ka konfirmuar për Albanian Post, anesteziologe Agreta Gecaj-Gashi në Klinikën Intensive të Coronavirusit.

“Po ka ndërruar jetë edhe një shtatzëne nga Coronavirusi, në moshën 28 vjeçare, ndërsa ka qenë 25-javëshe shtatzënë”, ka deklaruar Gecaj-Gashi.

Kjo është gruaja e pestë shtatzënë që ka vdekur nga Coronavirusi në Kosovë brenda pak ditësh.

Të premten, është raportuar se dy shtatzëna po trajtohen në njësinë intensive.

Nga këto pesë raste të vdekjeve, dy prej tyre kanë qenë të infektuar me variantin Delta.

Situata epidemiologjike me Coronavirus në Kosovë

Ministria e Shëndetësisë më 3 shtator (të premten), njoftoi se janë regjistruar edhe 26 vdekje dhe 1 mijë e 448 raste të reja me Coronavirus.

Sipas raportit, dy viktima u regjistruan në Pejë, Malishevë, Viti, Gjilan Prishtinë, Prizren, Klinë, Ferizaj dhe Gjakovë, ndërkaq nga një rast me fatalitet u regjistruan në Podujevë, Lipjan, Skenderaj, Gllogoc, Kamenicë, Rahovec, Deçan dhe Vushtrri.

Nëntë viktima ishin të grupmoshës 70-79 vjeç, pesë viktima i përkisnin grupmoshës 80 vjeç e më të vjetër, aq sa u regjistruan edhe në grupmoshën 60-69 vjeç.

Po ashtu, nga tri viktima i përkisnin grupmoshës 50-59 vjeç dhe 30-39 vjeç.

Rastet e reja dalin pas testimit të 12 mijë e 558 mostrave në laboratorët publikë dhe privatë.

Nga kjo shifër, i bie që rreth 12 për qind e të testuarve kanë dalë pozitivë për Coronavirus.

Sa i përket infektimeve, më së shumti raste janë regjistruar në grupmoshën 30-39 vjeç, përkatësisht 287 të infektuar.

Prishtina ka regjistruar numrin më të lartë të të infektuarve, ku në 24 orë janë infektuar me COVID-19, 277 persona.

Raste aktive me Coronavirus në Kosovë janë 26 mijë e 525.

Sa i përket vaksinimit, në 24 orët paraprake janë administruar 20 mijë e 479 doza të vaksinës.

Deri më tani, në Kosovë janë vaksinuar 298 mijë e 445 persona me të dy dozat e vaksinës, ndërkaq në total janë administruar 882 mijë e 718 doza.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore