Kosova

Kosovë: Shkarkohet Drejtori i Inteligjencës Financiare, Dardan Nuhiu


Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, përmes një statusi në Facebook, ka njoftuar se e ka shkarkuar Drejtorin e Njësisë për Inteligjencë Financiare, Dardan Nuhiun.

“Pas shqyrtimit të audioincizimeve të publikuara në media dje e sot, të cilat implikojnë Drejtorin e Njësisë për Inteligjencë Financiare, Bordi Mbikëqyrës, në mbledhjen e mbajtur sot, morri vendim që të njëjtin ta shkarkojë me efekt të menjëhershëm”, ka shkruar Murati.

Ndërkaq Ministria e Financave ka dhënë më shumë detaje për shkarkimin e Nuhiut nga pozita e Drejtorit të Njësisë së Inteligjencës Financiare.

“Gjuha e përdorur në bisedat e publikuara shpërfaq qartazi abuzimin me detyrën e besuar. Një gjë e tillë cenon rëndë reputacionin e institucionit dhe rrezikon besueshmërinë e qytetarëve dhe institucioneve tjera bashkëpunuese”, thuhet në njoftim.

“Pas shqyrtimit të audioincizimeve në fjalë, dhe diskutimit në mes të anëtarëve, Bordi Mbikëqyrës me gjashtë vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, vendosi që bazuar në kompetencat që ia njeh Ligji Nr. 05/L-096 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, të shkarkojë Dardan Nuhiun nga pozita e Drejtorit të NJIF-it”.

Në audio-incizimet e transmetuara nga Shqip.com, Nuhiu tregonte për forcën që ka te bizneset dhe politika dhe për skemën që ka përgatitur se si t’i marrë nën kontroll të gjitha.

Ndër të tjera ai, në një bisedë dëgjohet të thotë se për 2-3 vjet do të marrë nën kontroll disa media të forta dhe se do të realizojë planin e tij.

Në këto përgjime, thuhet se Nuhiu është i përfshirë edhe në shpërndarjen e informatave në lidhje me dyshimin për pastrim të parave dhe financim të terrorizmit tek autoritetet kompetente – tregon se i kontrollon edhe personat brenda drejtësisë.

Nuhiu mban këtë post nga viti 2011.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore