Kosova

Gërvalla: Askush nuk di pse i janë vendosur Kosovës masat ndëshkuese


Ministirja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka potencuar se ajo personalisht nuk do të komentoj më masat ndëshkuese të vendosura Kosovës në qershorin e vitit të kaluar nga ana e Bashkimit Evropian, meqë në vlerësimin e saj ato janë “krejtësisht të pakuptimta”.

“Unë mendoj se masat sa janë të pakuptimta dhe të paarsyeshme kaq janë edhe pikëpyetje për të gjithë pse janë vendosur”, ka potencuar ajo në një intervistë për Tëvë1.

E pyetur se pse nuk po hiqen ende masat e vendosura Kosovës, kryediplomatja ka potencuar se “askush nuk po e dinë pse janë vendosur ato”.

“Ka pasur një kërkesë për de-eskalim, de-eskalimi ka ndodhur prej muajsh dhe askush nuk po është në gjendje të konstatojë se çfarë duhet të bëjë Kosova”.

Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, të martën ua ka dorëzuar vendeve anëtare të BE-së raportin lidhur me masat që i janë vënë Kosovës më shumë se një vit më parë.

Në raport është bërë vlerësimi nëse duhet hequr masat ndaj Kosovës, të vëna për shkak të tensionimit të situatës në Veri të vendit, në maj dhe qershor të vitit 2023.

Megjithatë, nuk dihet nëse Borrelli ka rekomanduar heqjen e masave.

Për këtë çështje i deleguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, se detaje shtesë për raportin e Borrell-it do të bëhen të ditura të mërkurën, pasi ky raport të diskutohet nga shtetet anëtare të Unionit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore