Lajme

Kosovë: PSD dorëzon kallëzim penal ndaj ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia


Anëtari i Partisë Socialdemokrate, Dren Kukaj

Partia Socialdemokrate gjatë ditës së enjte ka dorëzuar në Prokurorinë Themelore kallëzimin penal kundër ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.

Anëtari i PSD-së, Dren Kukaj, ka thënë se kallëzimi penal ndaj Vitisë ka të bëj me dy vepra të cilat, sipas tij.

“Më 12 gusht të këtij viti, konsiderojmë se ka konsumuar dy vepra penale, një për keqpërdorim të pozitës zyrtare si dhe përhapjen e sëmundjes ngjitëse sipas nenit 249 të kodit penal, pasi që vendimin e datës 12 gusht nuk e ka përfill rekomandimin e IKShPK-së”, ka thënë Kukaj.

“Ne e kemi përgatitur një kallëzim penal me gjithsejtë shtatë faqe me afro 90 faqe prova që i kemi dorëzuar në prokurori, të cilat shpresojmë se kjo prokurori në kuadër të autorizimeve të fillojë veprimet hetimore ndaj ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia”, ka thënë ai.

Ndërsa, anëtari tjetër, Driton Çaushi, ka thënë se kallëzimi penal ka të bëjë me keqmenaxhim në fushatën e vaksinimit dhe në shumë faktorë tjerë.

“Ne bazohemi në një vendim i datës 12 gusht, ku ndodhi një përshkallëzim me pasoja në njerëz dhe ai ekonomik. Kosova po kalonte një situatë të qetë deri më 22 korrik, ku pas kësaj faze fillon një shpërthim apo rritje të e numrave, e që ndërlidhet me shkallën e ultë të vaksinimit”, u shpreh Çaushi.

Ndërsa ditë me parë kryetari i Partisë socialdemokrate, Dardan Molliqaj, kishte thënë se Vitia ka bërë shkelje dhe është treguar i papërgjegjshëm.

“Arben Vitia ka kryer shkelje të rëndë. Papërgjegjësia e tij ka prodhuar pasoja të rënda dhe të pariparueshme. Bëhet fjalë për qindra jetë të humbura të qytetarëve të Kosovës”, kishte shkruar Molliqaj në një postim në rrjetin social Facebook.

Ndërsa, tre muaj më parë Partia Socialdemokrate (PSD) kishte dorëzuar peticionin me nënshkrimet e qytetarëve për faljen e gjobave gjatë pandemisë COVID-19.

Anëtari i kësaj partie, Nol Nushi ka thënë se gjatë 20 ditëve të fundit kanë mbledhur mbi 11 mijë nënshkrime.

“Shumica e këtyre masave nuk janë menaxhuar mirë, shpesh edhe të pa logjikshme. Një rol të madh në shtytjen tonë ka pasur fushata. Ata nuk kanë respektuar asnjë masë”, ishte shprehur Nushi.

Tutje ai kishte thënë se “rreth 200 mijë dënime janë shpërndarë. Nuk kemi vaksina. Niveli i vaksinimit është nën pesë për qind”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore