Lajme

Kosovë: Përkundër kritikave nga opozita, votohen anëtarët e Komisionit për Jurisprudencë


Kuvendi i Kosovës

Nga gjithsejtë 89 deputetë të pranishëm në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, me 70 vota për, një kundër dhe asnjë abstenim, është miratuar propozimi për emërimin e Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës.

Edhe pas kundërshtimeve të bëra nga opozita, Albert Zogaj, është emëruar kryetar i komisionit për provimin e Jurisprudencës.

“Me 70 vota për, 1 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës merr vendimin për emërimin e Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës, Albert Zogaj, kryetar i komisionit, Drita Rexhaj Valbona Dishaj Haxhosaj, Afrim Shala, Zenel Leku, Edijesa Zahiri, Halide Reka, Bajram Miftari, Hajriz Hoti dhe Nenad Laziç”, ka deklaruar nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se nuk mund të propozojë anëtarë që e kanë shkatërruar sistemin e drejtësisë.

“Komisionit të kaluar i kanë shkuar emra se kush duhet ta kalojë provimin. Këta të rinjtë nuk do të pranojnë lista. Jam përkujdesur që anëtarët e përzgjedhur të kenë integritet profesional e moral”, ka thënë ajo.

Lidhur me këtë, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa, ka reaguar duke thënë se “Albert Zogaj, ka konflikt interesi sepse mbanë edhe disa pozita të tjera”.

“Po i numëroj disa: Gjykatës në Gjykatën Supreme, anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, është anëtar rezerv në Komisionin e Përhershëm për administrimin e gjykatave, anëtar i komisioni vlerësues për kryetar të Gjykatës Themelore në Prizren, anëtar i grupit punues për hartimin e raportit faktmbledhës për funksionimin e administratës gjyqësore, ligjërues në Kolegjin AAB dhe trajner në Këshillin Gjyqësor të Kosovës”, ka potencuar Beqa.

Deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se si Grup Parlamentar e konsiderojnë të rëndësishme të konstituohet komisioni për provimin e jurisprudencës.

“Në aspektin profesional nuk do të kyçemi por që kandidati i parë Albert Zogaj e kishte një përvojë pune të ngjeshur, por që duhet të shohim nëse a e ka të drejtën legjitime të ushtrojë këtë punë. Ne mendojmë që duke qenë se e ka një rendësi të veçantë që të kemi njerëz me integritet, Ministrja do të duhet të krijonte një listë të re e të trajtohet nga komisioni për legjislacion”, ka thënë ai.

Në anën tjetër deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismajli, në lidhje me këtë ka thënë se ekziston një reagim i shoqërisë civile, për të cilën sipas Ismajlit, Haxhiu ka thënë se “nuk përbën problem pse ata reagojnë”.

Ai ka thënë se “nuk kemi nevojë për supermena”, duke i përmendur pozitat e zotëri Albert Zogajt, për të cilin thotë se i ushtron tetë poste.

Duke iu drejtuar Haxhiut, Ismajli ka thënë se po dështon të tregojë vizionin e saj.

“Me tregu çfarë metodologjie ke përdorur çfarë kritere, të gjitha e përbëjnë një proces të dyshimtë për nga motitivi juaj, çfarë motivi keni pasur me gjet një person me 8 funksione”, ka pyetur Ismalji.

Në anën tjetër, Haxhiu i është kundërpërgjigjur duke e ftuar Zogajn t’i bëjë publike të gjitha funskionet që ai i ushtron.

“Mos ia numëroni pozicionet e tij si anëtar në kuadër të Këshillit Gyqësor, nuk tërhiqem nga ky propozim”, shtoi Haxhiu.

Pas miratimit të këtij propozimi, Kuvendi ka shkaur në pauzë deri në orën 16:00.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore