Lajme

Kosovë: Padia 100 mijë euro ndaj aktivistes Shpresa Loshaj


Përfaqësuesja e organizatës joqeveritare “Pishtarët” në Kosovë, Shpresa Loshaj, është paditur me 100 mijë euro nga kompania “Kelkos” nën akuzën se Loshaj ka “shpifur” dhe se një gjë e tillë po rezulton në dëmtim imazhi për kompaninë.

“Kelkos” është kompani austriake që operon në Kosovë me hidrocentralin më të madh në vend – “Lumbardhin”.

Në një intervistë me shkrim për Albanian Post, Loshaj – aktivistja për mbrojtje të mjedisit – thotë se “padia prej 100 mijë euro për një aktiviste që ka punuar 100% vullnetarisht tregon se sa në dëshpërim janë ‘Kelkos’ të më heshtin mua dhe aktivistët e tjerë”.

Duke konsideruar se “Kelkos” po keqpërdor ligjet e Kosovës, Loshaj thotë se shumë më lehtë për “Kelkos” është që t’i zbatoj ligjet se sa të bëjë rezistencë dhe të mos dorëzohet para tyre, duke shkatërruar kështu rendin ligjor dhe institucionet.

“Një gjë e tillë tregon se ‘Kelkos’ është në gjendje të bëjë çdo gjë për t’i mbuluar krimet e saj, por evidenca është publike dhe pa marrë parasysh se sa kërcënimet vijnë nga ‘Kelkos’, ata nuk do t’ia dalin mbanë”.

Ajo cilëson se padia e tillë – e parashtruar ndaj saj – godet fuqishëm rendin ligjor dhe demokracinë e Kosovës, pasi që Kosova ka ligje të reja dhe nuk ka histori në mbrojtje të mjedisit apo të të drejtave të njeriut.

“Të përdoren këto ligje për herë të parë kundër Kosovës dhe interesave publike është tragjedi për popullin tonë që kemi vuajtur kaq shumë të vijmë këtu ku jemi sot”, thotë Loshaj për Albanian Post.

Loshaj tregon shkurtimisht se si filloi e tëra kjo ngjarje, e cila përfundoi në një padi 100 mijë eurosh.

Sipas aktivistes për mjedis, kompania “Kelkos” që rreth një dekade po vepron në Grykë të Deçanit pa i përmbushur detyrimet ligjore.

“Kelkos ka ndërtuar tri hidrocentrale në Lumëbardhin e Deçanit ku kanë bërë degradime të pariparueshme, por asnjëherë nuk janë ndëshkuar dhe nuk u është kërkuar që ta riparojnë mjedisin”.

Reagimet e OJQ-së Pishtarët erdhën si rezultat që ‘Kelkos’ nuk parashihte që ta rehabilitojë Grykën e Deçanit dhe tharjen e lumit të Zallit të Rupës – “e cila kishte mbetur si shkretëtirë”.

“Këto dëme të ‘Kelkos’ na kushtonin neve si banorë të Deçanit dhe ne po humbnim pasuritë tona çdo ditë e më shumë”, shkruan Loshaj.

“Jemi munduar të punojmë me institucionet e Kosovës, por jemi injoruar, na kanë mohuar të drejtën në qasje në dokumente publike, kanë bërë gjithçka kanë mundur që ta mbajnë çështjen e ‘Kelkos’ të mbuluar”.

Loshaj tregon se ‘Kelkos’ ka paralajmëruar për padinë në qershor të vitit 2020 pasi organizata Pishtarët u kishte drejtuar letër Ambasadës së Austrisë, Qeverisë së Austrisë dhe Zyrës së BE-së në Kosovë.

Letra drejtuar këtyre instancave është shkruar pasi Pishtarët, në biseda me shumë njerëz në pozita udhëheqëse, kanë kuptuar se Ambasada e Austrisë po ushtron presion mbi Kosovën për ta akomoduar Kelkosin, tregon Loshaj.

“’Krimi’ i  vetëm i Shpresës është se ka ngritur zërin për dëmtimin e mjedisit nga kompania Kelkos, të cilët nuk i kanë përmbush zotimet e tyre, pra nuk ka pranuar të heshtin ndaj një krimi mjedisor”, thotë Mexhide Demolli-Nimani, Drejtoreshë Ekzekutive nga Lëvizja FOL.

Demolli-Nimani tregon se e njëjta kompani në korrik të vitit të kaluar kishte paditur aktivistin Adriatik Gacaferi, me ç’rast kanë kërkuar 10 mijë euro për dëmtim të imazhit.

“Tani disa muaj më vonë, kemi padinë tjetër po nga e njëjta kompani për çështjen e njëjtë vetëm se tani i kanë shtuar edhe një zero, pra po kërkojnë 100 mijë euro”.

Demolli-Nimani mbështet reagimet e Loshajt dhe Gacaferit në shumë raporte të OJQ-ve, raportin e Avokatit të Popullit dhe vendimin e Gjykatës Themelore, në të cilat thuhet se ndërtimet e hidrocentraleve në Kosovë janë përcjellë me shumë parregullsi dhe institucionet e vendit kanë lejuar që të ndodh një gjë e tillë.

“Ne e kemi parë me shqetësim të madh trendin e ri të përdorimit të Padive Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike (SLAPP) dhe letrave tjera kërcënuese kundër aktivistëve dhe gazetarëve”, thotë ajo.

Demolli-Nimani tregon se mbështetje nga shoqëria civile në Kosovë nuk do të mungojë për Loshaj ashtu siç nuk kishte munguar edhe për Adriatikun.

Ajo konsideron se nëse paditë SLAPP do të ishin të suksesshme në gjykatë do të përbënin një kërcënim të demokracisë dhe të drejtës së lirisë së shprehjes.

Ndërsa, avokati që prezanton “Kelkos”, Arianit Koci, tha se nuk mund të flasë për këtë çështje pasi që nuk ka autorizim.

“Padinë e ka bërë ‘Kelkos’, jo unë. Nuk kam të drejtë të them asgjë”, tha ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore