Kosova

Kosovë: Mbi 400 milionë euro import, kërkohet intervenim i Qeverisë


Kosova është nga vendet e rralla që eksporton më së shumti para, por jo edhe produkte.

Prodhimi i Kosovës është tepër i vogël për ta ndryshuar gjendjen e deficitit tregtar që po shkon duke u thelluar çdo muaj.

Të dhënat e fundit nga Tregtia e Jashtme e Agjencisë së Statistikave, tregojnë për një deficit tregtar shqetësues.

Eksporti mbulon importin me vetëm 16.5 për qind, apo ndryshe Kosova në muajin shtator të vitit 2021 eksportoi mallra në vlerë 69.3 milionë euro, ndërsa importoi 420.6 milionë euro, sipas të dhënave të ASK-së.

Për ekonomistin, Erton Bega, historikisht, ekonomia e Kosovës ka qenë dhe vazhdon të jetë ekonomi e bazuar në importe dhe deficit tregtar në këto nivele mbetet shqetësues.

“Ky problem ka përcjellë Kosovën vite me radhë dhe pavarësisht rritjes së eksporteve këtë vit, dhe faktit që bilanci tregtar ka shënuar përmirësime të vogla, trendi i rritjeve të importeve mbetet alarmues për ekonominë”, ka thënë Bega për Albanian Post.

Ekonomisti, Erton Bega

Bega mendon se Qeveria duhet të ndërmerr hapa konkret që nxisin investimet në prodhimtari.

“Të stimuloj prodhimin vendor dhe eksportet ashtu siç ka premtuar që do të ndërmerr veprime konkrete për ta orientuar ekonominë në prodhim, pasi që kjo është mënyra e vetme për ta përmirësuar bilancin tregtar tejet negativ që kemi me ç’rast eksportet sipas raportit të ASK mbulojnë vetëm 16,5% të importit”, theksoi Bega.

Edhe Mustafë Kadriaj, ekonomist, konsideron se Qeveria urgjentisht duhet të ndërhyj në përmirësimin e gjendjes, duke ndihmuar prodhuesit vendorë, për ta ndryshuar bilancin tregtar.

“Ne si shtet që nga paslufta jemi atakuar nga importi i lart dhe kjo na bënë të varur, njëherit të pa qëndrueshëm si shtet nga ana ekonomike. Këto të dhëna duhen të jenë alarm për qeverinë që të përkrah prodhuesit vendorë që të mbulon konsumin e brendshëm e nëse ka vend edhe për eksport që sado pak të ndryshojë raportin në favor të eksportit”.

Ekonomisti, Mustafë Kadriaj

Qeveria në mbledhjen e fundit ka marrë disa vendime që të ndihmohen prodhuesit vendorë, e që sipas Kadriajt, kjo pritet të shihet si do të reflektojë në përmirësimin e gjendjes.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e kaluar ka marrë vendim për Subvencionimin e Kredive Investive dhe mbështetjen e eksportit, në vazhdën e ndihmave me Pakon e Ringjalljes Ekonomike.

Kjo iniciativë është mirëpritur nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane, Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda e Afarizmit.

Kjo është konsideruar nga bizneset si mundësi e mirë për rritjen e prodhimit, rritjen e vendeve të reja të punës dhe përmirësimin e bilancit tregtar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore