Lajme

Kosovë: Kush janë emrat e rinj të anëtarëve të KQZ-së?


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve

Nga e enjtja e 13 majit, anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë ju kalon mandati. Rrjedhimisht nuk mund të organizohen për të mbajtur mbledhje dhe për të marrë vendime.

Po me 13 maj, është afati i fundit kur partitë politike në Kosovë duhet të dorëzojnë emrat e përfaqësueseve të tyre si anëtarë të KQZ-së pranë presidencës.

Arianit Elshani dhe Ilir Gashi nga Partia Demokratike e Kosovës, Florian Dushi nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Ibrahim Selmonaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, janë emrat e rinj të propozuar nga partitë e tyre, si përfaqësues në Komisionin Qendror Zgjedhor të Kosovës.

Ndërsa Lëvizja vetëvendosje ende nuk ka vendosur se kush do ta përfaqësojë në KQZ.

Anëtarët e rinj të këtij komisioni, për të marrë mandatin, duhet të betohen para Presidentes së vendit, Vjosa Osmani, e cila pas pranimit të emrave të rinj nga partitë parlamentare, ka kohë që brenda pesë ditësh të konfirmoj me shkrim këta emra.

Ata më pas betohen para sajë me frazën: “Deklaroj solemnisht se do t’i kryejë detyrat e mia si anëtar i KQZ-së në mënyrë të ndershme, besnike, të paanshme, profesionale dhe të ndërgjegjshme”, dhe të marrin përgjegjësitë e punës brenda institucionit të KQZ-së.

Sipas ligjit për zgjedhjet e brendshme të KQZ-së, anëtarët e Komisionit Qendror Zgjedhor nuk mund të shërbejnë më shumë se tri mandate të njëpasnjëshme.

Anëtarët e deritanishëm e kanë plotësuar këtë mandat ligjor, dhe sipas ligjit, 60 ditë pas certifikimit të zgjedhjeve të 14 shkurtit KQZ duhet të ketë anëtarë të rinj.

Po sipas këtij ligji, KQZ-ja përbëhet nga njëmbëdhjetë (11) anëtarë në pajtim me Kushtetutën.

Kryesuesi i KQZ-së emërohet nga Presidenti i Republikës së Kosovës nga Kolegji i gjyqtarëve të Gjykatës supreme. Me mandat shtat vjeçar me mundësi të rizgjedhjes. Kështu Valdete Daka tani është duke ushtruar detyrën në mandatin e sajë të dytë, deri në vitin 2026.

Dhjetë anëtarë e tjerë ndahen në mes të Partive Politike, ku gjashtë prej tyre i takojnë grupeve më të mëdha parlamentare të komunitetit shumicë, dhe katër të tjera komuniteteve pakicë.

Kështu VV do të përfaqësohet nga dy anëtarë, PDK po ashtu nga dy anëtarë, LDK me një anëtarë  dhe AAK me një përfaqësues.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore