Lajme

Kosovë: Kurti ua kthen letrat Erdoganit dhe Natanyahut


Albin Kurti, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe me shumë gjasë kryeministër i ardhshëm i Kosovës, ua ka kthyer letrat presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan dhe kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu.

Dy letrat që i kishin ardhur Kurtit, përveç se nga adresat e ndryshme kishin edhe kërkesa të ndryshme ndaj tij.

Erdogan e përgëzonte për shqyrtimin e vendimit rreth njohjes së Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit, derisa në anën tjetër Natanyahu e ftonte pikërisht në Jerusalem për ta hapur ambasadën e Kosovës.

Kurti në letrat kthyese ka vendosur që mos ta adresojë direkt as njërën e as tjetrën kërkesë.

Në letrën dërguar presidentit të Turqisë, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje thotë se “kur qeveria jonë të formohet, synoj të zgjerojmë dhe thellojmë raportet tona përmes komunikimit dhe bashkëpunimit të hapur e të sinqertë”.

Kurse në letrën e presidentit thuhej se Turqia mirëpret qëndrimet e partisë që drejton Albin Kurti.

“Jam i kënaqur, kur mësova për qëndrimin e partisë suaj që, nëse vjen në pushtet, do ta rishikojë angazhimin e Kosovës për hapjen e Ambasadës në Jerusalem. Besoj  se do të ishte e dobishme që të shmangej një hap të tillë, i cili mund t’i shkaktonte dëme të mëdha Kosovës”, ka shkruar Erdogan.

Ndërkaq në letrën dërguar kryeministrit të Izraelit, Kurti falënderon Netanyahun për ftesën që të marrë pjesë në inaugurimin e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

Ai ka shkruar se  vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me dy shtetet e sheh si mundësi për të përforcuar bashkëpunimin në të ardhmen.

“Kombi jonë historikisht ka respektuar komunitetin hebre. Unë e shoh këtë si një mundësi të forcimit të bashkëpunimit tonë politik, ekonomik dhe kulturor. Si kryeministër i ardhshëm i Republikës së Kosovës, do të isha i nderuar të adresoj çështjet e komunitetit hebre dhe trashëgimisë së vet në shtetin tonë. Teksa shtetet tona po vendosin marrëdhënie diplomatike, synoj të zgjerojmë e thellojmë bashkëpunimin tonë në të ardhmen. Faleminderit për ftesën që të vizitoj shtetin tuaj mik, të cilën gjë do ta bëj në një kohë të përshtatshme për të dy palët”, ka shkruar Kurti.

Ndërsa në letrën e kryeministrit të Izraelit thuhej se “e vlerësoj si shumë të rëndësishëm vendimin e Kosovës për të hapur Ambasadën në Jerusalem dhe iu pres në Izrael për inaugurimin e saj”, ka shkruar Netanyahu.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore