Lajme

Kosovë: Kryeshefi i AMK-së, Ferki Fejza, pretendon se u suspendua pasi kërkoi inspektimin e orëve të KEDS-it


Objekti i Ministrisë së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë

Kryeshefi i Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës (AMK) , Ferki Fejza, është pezulluar nga detyra, pasi ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, kishte kërkuar komision disiplinor për të.

Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike të Kosovës, Xhelal Sfeçla, që është edhe udhëheqës i Këshillit Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë, kërkesën e Hajdarit e ka kryer, duke e pezulluar Fejzën nga detyra e tij.

Në vendimin që e ka siguruar Albanin Post, thuhet se dëshmitë që janë prezantuar për Fejzën janë të pranueshme.

Por, askund nuk në vendim nuk specifikohet për shkeljet e Fejzës.

Albanian Post ka kontaktuar me Fejzën, i cili e ka mohuar se ka kryer ndonjë shkelje në punën e tij, në krye te Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës.

Ai mohon se ministrja Hajdari ka ndonjë fakt që ka iniciuar procedurë për të.

“Absolutisht nuk qëndrojnë akuzat. Znj.Hajdari ka iniciuar një procedurë disiplinore ndaj meje me disa pika e që asnjëra nga këto akuza nuk qëndron”.

Fejza thotë se arsyeja e pezullimi të tij lidhet me një vendim që kishte lëshuar ai për inspektimin e njehsorëve elektrik të Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë sh.a. (KEDS).

“Vendimi për pezullim ka pas për qëllim që të më pengojnë në zbatimin e ligjit për metrologjinë, sepse më 15.07.2021 kanë pas me fillua inspektimet për njehsorët elektrik, dhe pezullimi është bërë me qëllimin e vetëm për t’i ndaluar këto inspektime ndaj KEDS-it”.

Ndërsa sa i përket akuzës që iu është bërë nga ministrja Hajdari, ai ka thënë se duhet ta pyetni komisionin disiplinor.

“Për pikat e ngritura nga znj. Hajdari, dhe për vërtetësinë e tyre ju lutem kontaktoni komisionin disiplinor dhe binduni vete me provat e ofruara nga palët në kontest”, ka thënë Fejza për Albanin Post.

Ndërsa, në një adresim nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, ministrja Hajdari ka akuzuar Fejzën se ka bërë presion ndaj punëtorëve të tij.

Albanian Post ka kontaktuar edhe me ministren Hajdari për të marrë një qëndrim në lidhje për këtë çështje. Ministrja Hajdari është përgjigjur duke thënë se “jam në takim pune tani, ju lutem të drejtoheni të zyra e komunikimit në ministri”, ka shkruar ajo.

Albanian Post ka dërguar pyetje gjithashtu edhe në zyrën e komunikimit në Ministrisë e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, por deri në publikimin e këtij lajmi nuk ka pasur ndonjë përgjigje.

Ferki Fejza ka qenë për dy mandate kryeshef i Agjencisë së Kosovës për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguri Bërthamore.

Më pas Fejza është emëruar kryeshef i Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës, që kryen të gjitha matjet e produkteve ushqimore dhe jo ushqimore, në laboratorët që janë në kuadër të këtij agjencioni. Ndërsa me profesion, Fejza është fizikan.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore