Lajme

Kosovë: KQZ lejon regjistrimin dhe votimin me letërnjoftime të skaduara


Mbledhja e KQZ-së

Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), gjatë mbledhjes të së enjtes, janë përplasur verbalisht për votimin me letërnjoftime afat të skaduar.

Gjatë mbledhjes, anëtarët e KQZ-së kanë bërë shqyrtimin e rekomandimit për aprovimin e kërkesave për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës, të cilët kanë dërguar kopje të dokumentit identifikues (letërnjoftime) të Republikës së Kosovës me afat të skaduar.

Nga ana tjetër anëtari nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Sami Kurteshi ka deklaruar se nuk e kupton se pse është nxjerr një rekomandim i tillë nga ana e KQZ-së.

“Një letërnjoftim ka 20 karakteristika, kurse ne vetëm një e kemi marrë parasysh, datën e skadimit. Unë e kam problem se pse ngritët kjo çështje në KQZ. E dyta që po më mundon është që prej tetorit të vitit 2019 ky shtet ka problem me sigurimin e letërnjoftimit, kurse këndej thonë se na fal nuk paske letërnjoftim të vlefshëm”, ka thënë Kurteshi.

Ai thotë se nuk e kupton faktin se pse personave të cilët jetojnë jashtë Kosovës, nuk u lejohet votimi me letërnjoftim me afat të skaduar.

Kurse, anëtari Florian Dushi nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka thënë se në këtë fazë po ballafaqohen me persona që do të votojnë nga jashtë. Sipas Dushit, ligji nuk e lejon votimin me letërnjoftim me afat të skaduar.

“Një dokument identifikimi nuk ua siguron të drejtën për të votuar. Pse kjo është temë edhe ishte konsideroj që nuk është faji i këtij institucioni po i tillë është për shkak se ligji e përcakton që dokumentet e pranueshme të identifikimit janë letërnjoftimi i vlefshëm, pasaportë valide, leje e vlefshme”, ka thënë ai.

Reagime ka pasur edhe nga anëtari tjetër i KQZ-së. Ilir Gashi, nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ky propozim bie ndesh me ligjin.

“Kjo është një mundësi që njerëzve dashakeqës u jep mundësi me keqpërdor”.

“Fakti që një qytetari jashtë vendi i kërkohet një dokument valid që është qytetar i Kosovës, duhet tu kërkohet edhe një tjetri nga shteti ku jeton” ka thënë Gashi.

Ndërsa, përfaqësuesi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ibrahim Selmonaj është shprehur se institucioneve të Kosovës duhet tu bëhet presion për sigurim të dokumenteve për qytetarët.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi ka thënë se përderisa Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sfeqla ka marrë vendim që afatin e letërnjoftimeve për qytetarët të shtyhet për gjashtë muaj, nuk ka arsye të bëhet i gjithë ky debat dhe KQZ-ja duhet thjeshtë të zbatojë këtë vendim.

Ky rekomandim është votuar me 6 vota për dhe 2 kundër e një abstenim.

Ndërsa, Albanian Post dit më parë ka paralajmëruar se vendimi i Ministrit të Punëve të Brendshme për vazhdimin e afatit të letërnjoftimeve është potez elektoral dhe një tendencë për ndërhyrje në Zgjedhjet Lokale të tetorit nga ana e ministrit Sfeçla.

Vendimi i Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sfeçla për zgjatjne e vlefshmërisë së Letërnjoftimit gjerë në mesin e janarit të vitit 2022

Për Albanian Post, analisti Fitim Salihu, ka deklaruar se vendimi i ministrit Sveçla më shumë ngjan me një “potez elektoral se sa me një veprim administrative”.

Ai ka thënë se vendimi i ndërmarr “është në vazhdën e shfrytëzimit të resurseve dhe institucioneve shtetërore për interesa partiake”.

“Kjo qeveri ka tentuar ta orkestrojë për interesa politike edhe KQZ-në, edhe Prokurorinë, edhe Ligjin Zgjedhor. Prandaj, ky veprim është i pandashëm dhe endemik për një mendësi të tillë që shtetin e sheh si instrument të mbajtjes së pushtetit”, ka thënë Salihu.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore