Lajme

Kosovë: IKD dhe RRGK fajësojnë Prokurorinë për vrasjen e Sebahate Sopit


Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe Rrjeti i Grave të Kosovës, kanë fajësuar Prokurorinë Themelore në Prishtinë, për vrasjen e Sebahate Sopit.

Sipas tyre, kjo vrasje ka ndodhur për shkak “të neglizhencës dhe mos ushtrimit të funksioneve kushtetuese dhe ligjore që kanë institucionet e Kosovës”.

Drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj, në një konferencë për medie ka thënë se Sebahate Sopi është viktima e radhës në shtetin e Kosovës për shkak të dhunës në familje.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dështuar të ushtrojë kompetencat dhe detyrat saj për t’iu ofruar mbrojtje në këtë rast viktimës Sebahate Sopit”, ka thënë Miftaraj.

Ai ka njoftuar se e ndjera ka qenë viktimë e dhunës në familje në vitin 2019, dhe si rezultat i saj kishte një urdhër-mbrojtje të lëshuar nga Gjykata Themelore në Gjilan. Vajza e Sebahate Sopit me tre mars kishte raportuar dhunën në familje ndaj nënës së saj.

Miftaraj theksoi se Prokurori i Shtetit vetëm me një intervistim ishte mjaftuar që të mos ndërmarrë veprime shtesë.

“Pozita e prokurorit është përgjegjësi para kushtetutës, është përgjegjësi para ligjit, është përgjegjësi në raport para sistemit prokurorial dhe qytetarëve. Fatkeqësisht sot prokurorët e shtetit po i shfrytëzojnë privilegjet por nuk po i ushtrojnë përgjegjësitë e tyre”, shtoi ai.

Ndërsa Adelinë Berisha, nga Rrjeti i Grave të Kosovës, është shprehur se mbrojtja e këtyre viktimave duhet “të bëhet nga ata që e kanë për obligim dhe detyrë ligjore”.

Tutje ajo ka pohuar që për vite me radhë gratë kanë raportuar dhunën nga familjarët e tyre e që institucionet kanë refuzuar të ofrojnë mbështetje për ato që janë viktima të dhunës, mbështetje kjo që më pas rezulton me fatalitet.

“Ne do të kërkojmë që të gjenden edhe prokurorët të cilët nuk po e zbatojnë punën dhe detyrën e tyre ashtu siç duhet, prandaj do të kërkojmë shkarkimin e tyre dhe masat e tjera të cilat janë ndëshkuese për këta ushtrues detyre në institucionet zyrtare”, tha ajo duke shpresuar që ky të jetë rasti i fundit.

Kurse hulumtuesi Gzim Shala nga IKD-ja, ka thënë se vrasjes së Sebahate Sopit “i ka paraprirë një dështim institucional për të mbrojtur jetën e saj”.

Ndërkaq, në komunikatën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë thuhej se me datën katër mars ka ftuar në polici për deklaratë shtesë Sebahate Sopin, por ajo nuk është paraqitur në stacionin Policor.

E njëjta dyshohet se është vrarë nga bashkëshorti i saj me 14 mars, i cili më pas ka vrarë edhe vetën.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore