Lajme

Kosovë: Gani Koci, instevisohet në zyrat e EULEX-it


Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gani Koci ka shkuar në zyrat e EULEX-it në Prishtinë për t’u intervistuar nga hetuesit e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Koci, që do të intervistohet në cilësinë e dëshmitarit, ka shkuar atje së bashku me avokatin e tij, Arianit Koci.

Rreth tri javë më parë, përmes një postimi në “Facebook”, Koci ka njoftuar se Specialja ia ka dërguar një ftesë për intervistim.

“Të nderuar bashkëluftëtarë, miq, shokë e dashamirë. Sapo mora ftesën nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të paraqitem në Hagë, me 18 mars 2021, në cilësinë e dëshmitarit. Pavarësisht se në çfarë cilësie jam ftuar, unë do jem ai që isha në luftë dhe ai që jam sot, gjithmonë në mbrojtje të Luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare”, kishte shkruar Koci.

Ish-nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës,  ishte zëvendësministër i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë Haradinaj.

I arrestuari i parë nga Gjykata Speciale ishte Sali Mustafa i njohur me nofkën e luftës si Komandant “Cali”. Ai akuzohet nga Specialja për vrasje, torturë, trajtim çnjerëzor e ndalim të kundërligjshëm të civilëve gjatë vitit 1999 në Kosovë.

Mustafa u arrestua më 24 shtator të 2020-tës dhe menjëherë u transferua në objektin e paraburgimit në Hagë.

Vitin e kaluar u prangos edhe kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati në zyrat e organizatës, pas bastisjes që hetuesit e Speciales dhe Policia e EULEX-it zhvilluan në OVL. Mbi të rëndojnë akuzat për pengim të drejtësisë dhe kanosje të dëshmitarëve

Po të njëjtën ditë ishte arrestuar edhe nënkryetari i OVL-së, Nasim Haradinaj nga policët e ZPS-së në lagjen Pejton në Prishtinë. Ai akuzohet për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës

Ndërkohë, në qendrën e paraburgimit në Hagë po mbahen edhe ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi nga nëntori i vitit të kaluar. Ata akuzohen për vrasje, trajtim mizor, zhdukje me forcë të personave në periudhën mars 1998 dhe shtator 1999.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore