Lajme

Kosovë: Arrestimin e Dejanoviç për ndikim të votuesve, në Serbi e prezantojnë si sulm ndaj serbëve


Kryetari i Komunës së Kllokotit, Bozhidar Dejanoviç

Aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës, për kryetarin e Kllokotit, Bozhidar Dejanoviç, lidhur me zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021, mediat në Serbi kanë tentuar ta paraqesin si sulm i shtetit të Kosovës ndaj komuniteti serb.

Një nga gazetat më të mëdha në Serbi, Vecernje Novosti, shkruan se aktakuza u ngrit në vazhdën “e sulmeve ndaj serbëve”.

“Prokuroria Speciale në Prishtinë bëri një përpjekje për ta kompletuar mozaikun e zi, duke ngritur një aktakuzë të premten kundër kryetarit të Kllokotit, për kinse ka influencuar votuesit në zgjedhjet e fundit parlamentare”, shkruan gazeta, duke rreshtuar ngjarje të tjera për sulme në objekte fetare serbe duke aluduar se të gjitha këto kanë një lidhshmëri.

Por, prokuroria speciale njoftoi se tashmë ekziston dyshim i bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale ‘Cenim i përcaktimit të lirë të votuesve’, vepër që është e dënueshme nga neni 210  i Kodit Penal të Kosovës, prandaj edhe ishte arrestuar nga Njësia Speciale e Policisë së Kosovës më 12 mars 2021.

Por, e përditshmja serbe ka shkruar një artikull që e ka vendosur në faqen e parë, ku jepet një kalendarë, siç shkruhet, i sulmeve, derisa tentohet të bëhet lidhje e ngjarjeve.

Për shembull, arrestimi i Dejanoviç, lidhet me një grafit që ishte bërë ditë më herët ku shkruhej “UÇK” në murin e një shtëpie në Gorozhdec.

Gjithashtu, më poshtë janë renditur ngjarje të caktuar duke provuar të ngritët një lidhje.

Shtypi serb, që në raporte ndërkombëtare, del si i kapur dhe i kontrolluar nga Qeveria e Serbisë, vazhdon të jetë krejtësisht subjektiv në raport me shtetin e Kosovës.

Lajme si këto në media të Serbisë shkruhen vazhdimisht, për të mirëmbajtur publikun serb me idenë se serbët në Kosovë persekutohen nga shqiptarët.

Në shumë media në Serbi gjithashtu për shqiptaret përdorën terme ofenduese dhe referimet për shqiptarët janë të kësaj natyre.

Ndryshe, në Kosovë media është treguar shumë më e kujdesshme në raportimet për serbët dhe zhvillimet në Serbi, derisa termet ofenduese janë eliminuar krejtësisht.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore