Lajme

Kosovë: Ambasadori gjerman bënë thirrje për vaksinim


Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde, iu ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të vaksinohen kundër COVID-19.

Ai përmes një video-mesazhi të publikuar nga Ministria e Shëndetësie ka parashtruar disa pyetje për qytetarët.

“Mirëmëngjes të gjithë qytetarëve të Kosovës, më lejoni t’iu bëj disa pyetje. A doni të shkoni sërish në stadium të mbushur me njerëz? A doni të futeni në qendrat tregtare lirshëm? A doni të shijoni koncertet në ambiente të mbyllura këtë dimër, apo të takoni familjarët të cilët bëjnë pjesë në kategoritë e rrezikuara pa frikën se po ua bartni COVID-19?”, ka thënë Rohde.

Ai ka potencuar, “atëherë, vaksinohuni tash. Përvisheni mëngët këtë verë për mbrojtje të plotë kundër COVID-19”.

Ai ka kërkuar që procesi i vaksinimit të bëhet dhe mos të ketë një mbyllje totale në stinën e dimrit.

“Ne të gjithë duam që t’i kthehemi normalitetit dhe ta shmangim një mbyllje totale gjatë dimrit. Kjo është arsyeja pse secili vaksinim vlen”.

Gjatë ditës së mërkurë në Kosovë pesë persona e kanë humbur jetën, ndërsa 160 raste të reja me COVID-19.

Kurse numri i të vaksinuarve brenda 24 orëve të fundit është gjithsejtë 16 mijë e 339.

Numri i të vaksinuarve me vetëm dozën e parë të vaksinës anti-COVID është gjithsejtë 745 mijë e 573 ndërsa numri i të vaksinuarve me të dy dozat është gjithsejtë 464 mijë e 555.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore