Lajme

Kosovë: 51% e maturantëve kalojnë provimin shtetëror


Ilustrim

Në provimin Shtetëror të Maturës në Kosovë, të mbajtur me 28 gusht, kalueshmëria ka qenë 51 për qind.

Kështu është njoftuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), gjatë ditës së martë, kur edhe janë publikuar rezultatet.

Në këtë afat, testimit i janë nënshtruar 5 mijë e 629 nxënës të klasave të dymbëdhjeta në të gjithë Kosovën.

Në njoftimin e MAShTI thuhet se rezultati, 51.30 për qind është kalueshmëria në mësimin në gjuhën shqipe, 58.21 për qind në mësimin në gjuhën boshnjake dhe 34.04 për qind është kalueshmëria në mësimin në gjuhën turke.

Po ashtu thuhet se rezultatet e Provimit Shtetëror të Maturës tashmë janë shpërndarë në shkolla.

Provimi shtetëror i maturës i mbajtur më 28 gusht është organizuar në tri gjuhë: shqipe, boshnjake dhe turke, ndërsa është mbajtur në 68 qendra të testimit.

Tutje në njoftim thuhet se në këtë proces kanë qenë të angazhuar 200 komisionerë, 130 mbikëqyrës, 65 vëzhgues, si dhe 650 administrues. Ndërsa, të gjitha Qendrat e Testimit janë monitoruar edhe nga Këshilli Rinor Kosovar (KYC).

Kurse është bërë e ditur nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit se për shkak të përdorimit të telefonit, nga provimi janë larguar gjithsej 41 nxënës, të cilëve u është anuluar testi.

Ndërsa, Fatmir Elezi, shef i Divizionit për Vlerësim në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, kishte thënë për Albanian Post se në këtë afat do të nënshtrohen rreth 6 mijë e 700 maturantë, në 68 qendra të testimit.

“Këtij testimi në afatin e dytë do t’i nënshtrohen rreth 6 mijë e 700 maturantë në 68 qendra të testimit, ndërsa në këtë proces do të angazhohen rreth 200 komisionerë, 130 mbikëqyrës, 65 vëzhgues, si dhe 650 administrues”.

Ai ka thënë se edhe afati i dytë i testit të arritshmërisë do të mbahet duke zbatuar rregullat anti-COVID-19.

Gjatë një konferencë të mbajtur me 20 gusht, zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Edona Maloku- Berdyna, kishte thënë se testi i maturës do të mbi këqyret nga Këshilli Rinorë Kosovarë, dhe rezultatet do të publikohen me 8 shtator.

Maloku Berdyna e kishte bërë të qartë se për shkelësit Këshilli Shtetëror i Maturës do të ndërmerr masa.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore