Lajme

Kosovarët blejnë duhan rreth 250 milionë euro në vit


Ilustrim.

Duhani vlerësohet të jetë shkaktari i dytë i vdekjeve në botë, ndërsa me 31 maj shënohet dita botërore kundër duhanit.

Bazuar në statistikat ndërkombëtare dhe ato të cilat prezantohen nga përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, duhani çdo vit vret rreth 5.4 milion njerëz në botë.

Kryeinspektorati sanitar, Ibrahim Tërshnjaku, në një bisedë për Albanian Post deklaroi se qytetarët e Kosovës shpenzojnë rreth 200 milionë euro për blerje të duhanit, derisa sipas të dhënave joformale, kjo shifër shkon deri në 250 milionë.

“Nga disa të dhëna në Kosovë figuron se mbi 250 milionë euro konsumatorët shpenzojnë vetëm për blerjen e duhanit duke e kalkuluar që edhe 200 milionë bëhen investime në trajtimin shëndetësor jashtë vendit, pra një shumë marramendëse rreth ruajtjes së shëndetit”, deklaroi Tërshnjaku për AP.

Sipas tij, zbatimi i ligjit të Duhanit ka shënuar progres në këtë vit duke u bazuar edhe në gjobat që kanë shqiptuar.

“Ne kemi pasur rritje të zbatueshmerisë të ligjit të duhanit, me theks të veçantë në kohën e pandemisë ne kemi targatuar sidomos subjekte të cilat duhet të zbatojnë ligjin për hapësirat e mbyllura”.

Përdorimi i cigareve në Kosovë.

“Por kemi vërejtur se në disa lokale/kafene janë duke e shkelur ligjin dhe ne si inspektorë nga këto subjekte të targatuara nga 76 kontrolla që kemi bërë, 10 për qind të kontrollave i kemi targetuar dhe i kemi shqiptuar gjoba”.

Tërshnjaku, apelon tek të gjitha institucionet për bashkëpunim jo vetëm në këtë ditë, por gjatë gjithë kohës.

“Në këtë ditë të gjitha institucionet duhet të jemi bashkë që të rritet edukimi dhe vetëdijesimi i qytetarëve, pasi duhani në Kosovë është traditë, shprehi e cila është konsumuar me vite të tëra”.

Mirëpo, ndryshe thotë Shkumbin Spahiu, zyrtar në Qendrën për Zhvillim dhe Avokim në Kosovë (KADC), qendër kjo e cila merret me monitorimin e zbatimit të Ligjit kundër duhanit.

Ai në një bisedë për Albanian Post, pohon se Kosova në këtë drejtim shënon rënie vitë pas viti.

“Sa i përket ligjit të kontrollit të duhanit siç e dimë kemi parë rënie vite pas viti, një hulumtim që kemi bërë në vitin 2020 në të gjithë Kosovën ka rezultuar se dikund 31 për qind e popullatës apo qytetarëve të Kosovës ekspozohen në mënyrë jo vullnetare në tym të duhanit”, thotë Spahiu për AP.

Ligji për Duhanin në Kosovë.

“Ndërsa, 27 për qind ekspozohen në vendin e tyre të punës”.

Ndër të tjera, bën të ditur se edhe format më të reja të duhanit, kanë qëllim konsumimin e tij.

“Tek prindërit kisha dashur që ata të jenë të vetëdijshëm tek produktet e reja të duhanit të cilat ekspozohen në forma që tërheqin të rinjtë, por që qëllim kanë konsumin e duhanit. Edhe vape (Vaping është akti i thithjes së avullit të prodhuar nga një cigare elektronike ose avullues), edhe shishat janë lloje të duhanit”.

Vaping është akti i thithjes së avullit të prodhuar nga një cigare elektronike ose avullues.

Spahiu, kritikoi dhe ekzekutivin për taksat aktuale që janë tek produktet e duhanit.

“Një vërejtje për qeverinë është rritja e taksave për produktet e duhanit, sepse momentalisht i kemi asetet më të lira në rajon dhe në Evropë”.

Raporti i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, flet se mbetjet e duhanit përmbajnë mbi 7,000 lëndë kimike toksike që helmojnë mjedisin, përfshirë këtu lëndë që shkaktojnë kancerin.

Ndërsa, bazuar në statistikat e Doganës së Kosovës, vetëm për një vit hyjnë rreth 3 mijë e 500 tonelata duhan.

Ligji për kontrollin e duhanit në Kosovë ka hyrë në fuqi në vitin 2013. Qëllimi i këtij Ligji është të mbështesë përpjekjet e shoqërisë për të zbutur dhe reaguar ndaj një problemi të madh të shëndetësisë publike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore