Lajme

Kosova uron 247 vjetorin e Pavarësisë së SHBA-së


Flamuri i Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Presidentja Vjosa Osmani, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka uruar presidentin, Joe Biden dhe miqtë e aleatët amerikanë të Kosovës.

Përmes një cicërime në rrjetin social ‘Twitter’, Osmani u shpreh se Kosova bashkohet me SHBA-në për të festuar idealet dhe vlerat.

“Gëzuar 4 korrikun për presidentin Joe Biden, miqtë dhe aleatët tanë amerikanë! Sot, ne bashkohemi me ju për të festuar kombin tuaj të madh, idealet dhe vlerat për të cilat rreh zemra e çdo amerikani dhe çdo kosovari. Le të vazhdojë të forcohet partneriteti ynë i palëkundur”, ka shkruar presidentja.

Edhe, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e Ditës së Pavarësisë.

Haradinaj, në urimin e tij ka publikuar një fotografi të selisë qendrore të AAK-së, me flamurin amerikan i vendosur në ballë të saj.

“Amerikë, urime ditëlindjen! Je gjithmonë inspirim për ne. Do të ishte në nderin e Kosovës që 4 Korriku të shpallet festë shtetërore”, ka shkruar ai.

Më 4 korrik të këtij viti është shënuar 247 vjetori i shpalljes së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Deklarata e Pavarësisë është një dokument ku 13 kolonitë e Mbretërisë së Bashkuar nga Amerika e Veriut shpallën pavarësinë nga Mbretëria e Bashkuar.

Dokumenti i Pavarësisë u ratifikua më 4 korrik 1776.

Kushtetuta amerikane, e nënshkruar në vitin 1787 përshkruan bazën dhe strukturën e qeverisë të Shteteve të Bashkuara, e cila është e ndarë në tri degë, ato ekzekutive, legjislative dhe juridike, pra Presidenti, Kongresi dhe Gjykata e Lartë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore