Lajme

“Kosova nuk u ftua nga SHBA-të”, kritika e opozitës, karshi “shpresës” së Qeverisë


“Kosova nuk u ftua nga SHBA-të në Samitin e Demokracisë”, është tema më e përfolur në dy ditët e fundit në Kosovë.

Pas publikimit të listës së shteteve të cilat morën ftesë dhe të atyre që nuk morën, të premten, nga prestigjiozja “Politiko”, analistë, e ish përfaqësues institucionesh ngrenë shqetësimin e tyre për këtë “realitet të ri” raportesh në mes të Kosovës dhe Amerikës.

Lajmi u bë publik në orët e para të së premtes, por nga qeveria nuk e pa të arsyeshme të flas askush për mos ftesën e Kosovës në këtë Samit.

Glauk Konjufca, Kryetari i Kuvendit të Kosovës

Një ditë më vonë, të shtunën paradite, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se për pjesëmarrjen e shteteve në këtë Samit vendos vet SHBA.

“Janë konferenca të rëndësishme, në të cilat vetë SHBA vendosin se kush është i rëndësishëm të marrë pjesë ose jo”.

Konjufca nuk ka komentuar mosftesën por është shprehur optimist se do të ftohen në konferencën e njëjtë e cila do të  mbahet vitin e ardhshëm.

“Për Kosovën do të kishte qenë e mirëseardhur po të ishte pjesë e kësaj konference. Kjo po mbahet për herë të parë, por dëgjova që pas një viti do të  mbahet tjetra, sepse kjo parashihej në dy faza”.

“Meqenëse nuk u ftuam në këtë të parën, shpresojmë që në atë të dytën që do të mbahet tash një vit, me sa e lexova projektin, të jemi të ftuar do të ishte shumë me rëndësi për Republikën e Kosovës”.

Avdullah Hoti, deputet në Kuvendin e Kosovës nga LDK

E zëshme dhe shumë kritike ishte opozita.

Ish Kryeministri i Kosovës, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti, dhe njëherit deputet në kuvendin e kësaj legjislature në Kuvendin e Kosovës, ka thënë për Albanian Post se “mungesa e ftesës është sinjal i keq”.

“Besoj se mungesa e ftesës reflekton gjendjen në të cilën janë marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-të”, ka thënë Hoti për Albanian Post.

“Shpresoj shume se nuk do të përsëritet situata sikur në muajt e parë të vitit 2020, kur praktikisht ishin ngrirë komunikimet në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Shtëpisë se Bardhë”.

Ish kryeministri Hoti ka thënë se sa ishte në detyrë si udhëheqës i Qeverisë i është dashur shumë punë për të rikthyer besimin e Shtëpisë së Bardhë.

“Dhe pas tri javësh unë kam marrë ftesë për në Shtëpinë e Bardhë”.

“Nëse situata degradon prapë, është pa tolerueshme”, ka përfunduar Hoti.

Abelard Tahiri, Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së,

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka bërë një postim në llogarinë tij në Facebook, duke thënë se mosftesa e Kosovës nga SHBA-të n këtë samit, është “kambanë zhurmuese për atë se si janë dëmtuar e degraduar këto raporte, nga papërgjegjësia politike dhe distopia kombëtare e qeverisë së mazhorancës së Albin Kurtit e Vjosa Osmanit”.

“Samiti që mbledhë vendet demokratike për të ndërtuar kohezion kundër rrezikut të autoritarizmit, shkeljes së të drejtave dhe qeverive të korruptuara, shënon një vije dallimi mes sferës së demokracive të prirë nga Amerika dhe asaj antidemokratike që ka adresë në Moskë dhe Pekin. Është fatkeqësi për vendin tonë, që nga papërgjegjësia e qeverisë, sot nuk jemi kualifikuar në ligën e duhur”, ka shkruar ndër të tjera Tahiri.

Ramush Haradinaj, Kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës,

Udhëheqësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, njëherit ish-Kryeministër i vendit, vlerëson se ky lajm duhet të na shqetësoj të gjithë dhe të “shërbejë si sinjal alarmi për shkallën e degradimit të raporteve me ShBA-të si rezultat i qeverisjes së Albin Kurtit”.

“Kosova nuk ka kohë për të humbur, as nuk ka partner më të afërt sesa ShBA-të, andaj Kryeministri me urgjencë duhet t’i riparojë raportet dhe partneritetin e besueshëm e të shëndoshë me ShBA-të si aleati ynë strategjik”.

“Asnjëherë nuk do ta lejojmë shndërrimin e Kosovës në laborator të eksperimenteve neo-komuniste evropiane që kryeqendër e kanë Moskën dhe qëllim parësor e kanë zbehjen e prezencës dhe rolit të ShBA-ve në Kosovë, rajon e më gjerë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Blerta Deliu-Kodra, deputete e PDK-së

Deputetja e PDK-së Blerta Deliu-Kodra ka thënë se kjo nuk është hera e parë qe SHBA-të penalizojnë Kosovën, me qeverinë Kurti në krye.

“Kujtojmë se në dy Qeveritë Kurti, nga dy administratat, SHBA në mënyrë të drejtpërdrejtë ka sanksionuar Kosovën. Në Qeverinë “Kurti1” me bllokimin e fondeve të MCC-së dhe tani me mosftesën në Samitin e aleatëve amerikan”, ka shkruar Deliu-Kodra në llogarinë e sajë në Facebook.

Kjo “mosftesë”, sipas deputetes së PDK-së, do të dëmtoj Kosovën në arenën ndërkombëtare.

“Përveç faktit që demonstron hapur raportin e cenuar të kësaj Qeverie me Shtetet e Bashkuara, mosftesa në Samitin e Demokracive, të organizuar nga Presidenti Biden, do të dëmtojë edhe imazhin dhe argumentin lobues për njohje”.

“Garanca amerikane në botë, se Kosova po zhvillohet në një shtet demokratik, ka qenë argumenti më i fuqishëm i diplomacisë kosovare në kërkimin të njohje të reja. Mos dërgimi i ftesës në Samitin e Demokracive shpreh, në mënyrë implicite, dyshimin amerikan për orientimin politik dhe strategjik të Kosovës”.

“Kjo konsekuencë e prodhuar nga Qeveria, për më tepër, do të ushqejë aspirimet e politikave dhe vendeve anti-perëndimore të shtrijnë ndikimin e tyre në Kosovë”, është shprehur Deliu-Kodra.

Ish-Kryediplomatja e Kosovës, Edita Tahiri, Presidenti i SHBA-së, Joe Biden dhe harta e shteteve pjesëmarrëse në Samitin e Demokracisë, e publikuar nga “Politico”

Ish kryedoplomatja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita tahiri, ka shkruar në llogarinë e sajë në Facebook, se ky është një mesazh që duhet të lexohet me kujdes.

“Shtëpia e Bardhë nuk e ftoi Kosovën në Samitin e Demokracisë të organizuar nga Presidenti Amerikan Joe Biden”.

“Pas, tash besoj se Kurti do t’i dalloj më mirë ngjyrat!”, ka shkruar Tahiri në Facebook, pa dhënë më shumë detaje.

E pyetur nga Albanian Post, ish krye diplomatja e Kosovës, Edita Tahiri ka thënë se nuk preferon të jap më shumë detaje për këtë gjë.

“Disa qarqe mezi presin një situate të këtillë, sidomos Serbia, prandaj nuk dua të flasë më shumë”, ka thënë Tahiri, duke ripërsëritur se ky veprim i SHBA-ve është sinjal i fuqishëm për Qeverinë e Kosovës.

“Ky është një sinjal për Kurtin, që të rishqyrtoj qëndrimet dhe lexoj me kujdes kërkesat e SHBA-ve”.

Ish i emëruari special amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell

Mos prania e Kosovës në mesin e 100 shteteve të ftuara nga Shtëpia e Bardhë, për Samitin e Demokracisë i cili do të mbahet pas disa javësh, ka bërë që reagimet të kalojnë kufijtë shtetëror të Kosovës.

Ish i emëruari special amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka reaguar pas mos-ftesës së Kosovës dhe Serbisë në këtë Samit.

“Biden përbuz Kosovën dhe Serbinë:, ka shkruar Grenell në Twiter.

“Ai i rikthehet të luajturit politikë në rajon”, ka vazhduar më tej ai.

Tutje, Grenell u shpreh se ish-presidenti Trump kujdesej për Ballkanin, duke injoruar politikën dhe duke nxitur zhvillim ekonomik.

“Trump kujdesej thellë për njerëzit e Ballkanit”.

“Ai hodhi poshtë lojërat e politikanëve të 20 viteve të fundit dhe në vend të kësaj nxiti krijimin e vendeve të punës dhe zhvillimin ekonomik”.

“Punë jo politikë”, ka përfunduar shkrimin Grenell.

Agon Maliqi, studiues e analist

Mungesa e ftesës për pjesëmarrje në Samitin e Demokracive është alarmuese jo aq për shkak të peshës së këtij samiti sa për faktin se kjo e sinjalizon një acarim të rëndë në marrëdhëniet dypalëshe të Kosovës me SHBA-të, ka komentuar Agon Maliqi, studiues dhe analist, për Albanian Post.

“Kosova me këtë vendim është futur nga SHBA në një grup të vogël dhe aspak prestigjioz shtetesh të prira nga autokratë anti-perëndimorë si Serbia, Bosnja (për shkak të Dodikut), Bjellorusia dhe Hungaria (Orban)”, ka shpjeguar Maliqi.

“Në këtë vendim besoj se reflektohet pakënaqësia e thellë që ekziston në Departamentin e Shtetit dhe Këshillin e Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë me qasjen e qeverisë së Kosovës në raport me dialogun me Serbinë, “Ballkanin e hapur”, mungesën e bashkërendimit në situatën në veri, sigurinë energjetike të rajonit (projektin e gazsjellësit që synon uljen e varësisë nga gazi rus), etj”.

“Mos të harrojmë se e kemi një qeveri e cila vazhdon ta trajtojë Marrëveshjen e Uashingtonit si të pavlefshme ndërkohë që në atë dokument Kosova ka marrë përsipër zotime të bashkërendimit me procese strategjike”, ka potencuar Maliqi.

“SHBA-të me këtë vendim sinjalizojnë se nuk e shohin më Kosovën si partnere por si penguese aktive të proceseve strategjike të sigurisë evropiane. Edhe nga vizitat e qeveritarëve tanë duket qartë se nuk ka takime të nivelit të lartë diplomatik dhe se mbështetja e SHBA është reduktuar vetëm te FSK-ja”.

“Samiti për Demokraci” i Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, është vetëm disa javë larg.

Një listë e zbuluar nga POLITICO dëshmon mungesën e Kosovës, Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës mes të ftuarëve.

Në të kundërt, Shqipëria, Mali i Zi, Kroacia dhe Maqedonia e Veriut gjenden në listën e zbardhur në orët e para të 5 nëntorit.

Ftesat për Samitin virtual do të shkojnë për krerët e shteteve anembanë botës. Mes tyre përfshihen edhe liderët e shteteve me demokraci të cënueshme.

Foreign Policy raporton nga ana tjetër se Polonia, Meksika dhe Filipinet janë ndër vendet që Biden planifikon të ftojë në samitin.

Në një deklaratë të 11 gushtit, Shtëpia e Bardhë njoftonte organizimin e një “Samiti për Demokracinë” më 9-10 dhjetor.

Biden u zotua ta mbajë takimin gjatë vitit të tij të parë në detyrë për t’iu kundërvënë tërheqjes së shteteve autoritare si Kina dhe Rusia.

Harta e shteteve të ftuara dhe të paftuara, e publikuar nga “Politico”

Simbolika

Një nismë që ekipi Biden ka diskutuar për nisjen gjatë samitit është një aleancë ndërkombëtare për të promovuar lirinë e internetit.

Kjo e fundit do të quhet “Aleanca për të Ardhmen e Internetit”, sipas dokumenteve të siguruara nga POLITICO.

Zyrtarët amerikanë gjithashtu kanë paraqitur një listë të angazhimeve të mundshme për vendet e tjera.

Në të përfshihen rritja e fondeve për programet e edukimit mediatik ose vendosja e kontrolleve të eksportit për disa teknologji me përdorim të dyfishtë.

“Në fund të fundit, Biden është duke pritur samitin gjatë një viti që ka parë të paktën gjashtë grusht shteti në vende nga Myanmari në Sudan”, shkruan POLITICO.

Por nuk është e qartë se sa vende që do të marrin pjesë në samit do nënshkruajnë për angazhime ose sa do t’i ndjekin.

“Simbolizmi i mbledhjes është i rëndësishëm, por ndryshimi aktual që samiti do të gjenerojë mbetet për t’u parë”, tha Steven Feldstein, një bashkëpunëtor i lartë me Carnegie Endowment for International Peace.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore