Kosova

Edita Tahiri: “Ky është një sinjal për Kurtin, që të lexoj me kujdes kërkesat e SHBA-ve”


Ish-Kryediplomatja e Kosovës, Edita Tahiri, Presidenti i SHBA-së, Joe Biden dhe harta e shteteve pjesëmarrëse në Samitin e Demokracisë, e publikuar nga “Politico”

Prestigjiozja amerikane “Politico” ka nxjerrë emrat e shteteve të cilat morën ftesë nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden për t’u bërë pjesë e Samitit të Demokracisë i cili do të mbahet në muajin dhjetor të këtij viti.

Në këtë listë të “Politico’s”, Kosova është një ndër pak shtetet e paftuara, bashkë me Serbinë e Bosnjën.

Publikimi i kësaj liste morri vëmendje të madhe në vend.

Ish kryedoplomatja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita tahiri, ka shkruar në llogarinë e sajë në Facebook, se ky është një mesazh që duhet të lexohet me kujdes.

“Shtëpia e Bardhë nuk e ftoi Kosovën në Samitin e Demokracisë të organizuar nga Presidenti Amerikan Joe Biden”.

“Pas, tash besoj se Kurti do t’i dalloj më mirë ngjyrat!”, ka shkruar Tahiri në Facebook, pa dhënë më shumë detaje.

E pyetur nga Albanian Post, ish krye diplomatja e Kosovës, Edita Tahiri ka thënë se nuk preferon të jap më shumë detaje për këtë gjë.

“Disa qarqe mezi presin një situate të këtillë, sidomos Serbia, prandaj nuk dua të flasë më shumë”, ka thënë Tahiri, duke ripërsëritur se ky veprim i SHBA-ve është sinjal i fuqishëm për Qeverinë e Kosovës.

“Ky është një sinjal për Kurtin, që të rishqyrtoj qëndrimet dhe lexoj me kujdes kërkesat e SHBA-ve”.

Agon Maliqi, studiues e analist

Mungesa e ftesës për pjesëmarrje në Samitin e Demokracive është alarmuese jo aq për shkak të peshës së këtij samiti sa për faktin se kjo e sinjalizon një acarim të rëndë në marrëdhëniet dypalëshe të Kosovës me SHBA-të, ka komentuar Agon Maliqi, studiues dhe analist, për Albanian Post.

“Kosova me këtë vendim është futur nga SHBA në një grup të vogël dhe aspak prestigjioz shtetesh të prira nga autokratë anti-perëndimorë si Serbia, Bosnja (për shkak të Dodikut), Bjellorusia dhe Hungaria (Orban)”, ka shpjeguar Maliqi.

Maliqi thotë se vlerësimi i SHBA-së për Kosovën në këtë rast nuk flet shumë për nivelin e demokracisë së brendshme të shtetit, ku “Kosova qëndron më mirë se rajoni në shumë gjëra si liria e mediave, zgjedhjet e lira, etj”.

“Prandaj në këtë kontekst vendimi ngjan mjaft i padrejtë”.

“Besoj se arsyeja qëndron te fakti se është përdorur si kriter edhe vënia ndesh me prioritetet amerikane në politikën e jashtme dhe të sigurisë, politika këto që lidhen ngushtë me promovimin e demokracisë dhe zbehjen e ndikimit të Rusisë dhe Kinës në Ballkan”, ka thënë Maliqi për Albanian Post.

“Në këtë vendim besoj se reflektohet pakënaqësia e thellë që ekziston në Departamentin e Shtetit dhe Këshillin e Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë me qasjen e qeverisë së Kosovës në raport me dialogun me Serbinë, “Ballkanin e hapur”, mungesën e bashkërendimit në situatën në veri, sigurinë energjetike të rajonit (projektin e gazsjellësit që synon uljen e varësisë nga gazi rus), etj”.

“Mos të harrojmë se e kemi një qeveri e cila vazhdon ta trajtojë Marrëveshjen e Uashingtonit si të pavlefshme ndërkohë që në atë dokument Kosova ka marrë përsipër zotime të bashkërendimit me procese strategjike”, ka potencuar Maliqi.

“SHBA-të me këtë vendim sinjalizojnë se nuk e shohin më Kosovën si partnere por si penguese aktive të proceseve strategjike të sigurisë evropiane. Edhe nga vizitat e qeveritarëve tanë duket qartë se nuk ka takime të nivelit të lartë diplomatik dhe se mbështetja e SHBA është reduktuar vetëm te FSK-ja”.

“Samiti për Demokraci” i Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, është vetëm disa javë larg.

Një listë e zbuluar nga POLITICO dëshmon mungesën e Kosovës, Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës mes të ftuarëve.

Në të kundërt, Shqipëria, Mali i Zi, Kroacia dhe Maqedonia e Veriut gjenden në listën e zbardhur në orët e para të 5 nëntorit.

Ftesat për Samitin virtual do të shkojnë për krerët e shteteve anembanë botës. Mes tyre përfshihen edhe liderët e shteteve me demokraci të cënueshme.

Foreign Policy raporton nga ana tjetër se Polonia, Meksika dhe Filipinet janë ndër vendet që Biden planifikon të ftojë në samitin.

Në një deklaratë të 11 gushtit, Shtëpia e Bardhë njoftonte organizimin e një “Samiti për Demokracinë” më 9-10 dhjetor.

Biden u zotua ta mbajë takimin gjatë vitit të tij të parë në detyrë për t’iu kundërvënë tërheqjes së shteteve autoritare si Kina dhe Rusia.

Harta e shteteve të ftuara dhe të paftuara, e publikuar nga “Politico”

Simbolika

Një nismë që ekipi Biden ka diskutuar për nisjen gjatë samitit është një aleancë ndërkombëtare për të promovuar lirinë e internetit.

Kjo e fundit do të quhet “Aleanca për të Ardhmen e Internetit”, sipas dokumenteve të siguruara nga POLITICO.

Zyrtarët amerikanë gjithashtu kanë paraqitur një listë të angazhimeve të mundshme për vendet e tjera.

Në të përfshihen rritja e fondeve për programet e edukimit mediatik ose vendosja e kontrolleve të eksportit për disa teknologji me përdorim të dyfishtë.

“Në fund të fundit, Biden është duke pritur samitin gjatë një viti që ka parë të paktën gjashtë grusht shteti në vende nga Myanmari në Sudan”, shkruan POLITICO.

Por nuk është e qartë se sa vende që do të marrin pjesë në samit do nënshkruajnë për angazhime ose sa do t’i ndjekin.

“Simbolizmi i mbledhjes është i rëndësishëm, por ndryshimi aktual që samiti do të gjenerojë mbetet për t’u parë”, tha Steven Feldstein, një bashkëpunëtor i lartë me Carnegie Endowment for International Peace.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore