Lajme

Kosova ndan 500 mijë euro për familjet e ndikuara nga tërmeti në Turqi


Mbledha e Qeverisë së Kosovës.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e të mërkurës, ka miratuar ndarjen buxhetore për familjet e ndikuara nga tërmeti në Turqi.

Vendimin fillimisht e ka prezantuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Duke ndarë dhimbjen dhe pikëllimin me popullin turk dhe udhëheqjen e Republikës së Turqisë, për mijëra jetëra të humbura tragjikisht nga tërmeti shkatërrues rikonfirmojmë solidaritetin, ndihmën dhe mbështetjen tonë të parezervë”.

“Andaj, propozohet ndarja e mjeteve buxhetore në shumë prej 500 mijë eurove për familjet e ndikuara nga tërmeti në Turqi”, tha Kurti.

Gjithashtu edhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve ka thënë se një ndarje e tillë ka qenë e planifikuar.

“Një ndarje e tillë ka qenë e paraparë që të zotohet në takimin që ishte organizuar në Bruksel për këtë qëllim, megjithatë për shkak të pamundësive për pjesëmarrje në nivel të barabartë me shtetet e tjera, ne kemi vendosur që të mos bëjmë zotimin aty, por që si Qeveri në formë bilaterale të ndajmë këto mjete në mënyrë që të japim kontributin tonë sado pak për popullin turk”, deklaroi Murati.

Miratohet shqyrtimi i projektligjit mes Kosovës dhe BE-së për pjesëmarrje në programin “tregu i vetëm”

Po ashtu, është miratuar shqyrtimi i projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrje e Kosovës në programin “tregu i vetëm”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka prezantuar këtë program si tejet të rëndësishëm për Kosovën, i cili fuqizon sektorin financiar.

“Programi është njëri ndër më të rëndësishmet sa i përket mbështetjes që vjen nga Bashkimi Evropian dhe si i tillë synon fuqizimin e tregut të brendshëm, mbrojtjen e konsumatorin, përforcimin e sektorit financiar”.

Mbledhja e Qeverisë së Kosovës.

Edhe zëvendësministri i Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka deklaruar se “ky hap është i rëndësishëm” edhe për anëtarësimin e Kosovës në BE.

“Programi i tregut të vetëm është një mekanizëm i rëndësishëm, teksa pjesëmarrja në Bashkimin Evropian “tregu i vetëm” për Kosovën, është një hap i rëndësishëm drejt anëtarësimit të Kosovës në BE”.

Miratohet projektligji i ri për shërbime sociale dhe familjare

Po ashtu, në mbledhjen e ekzekutivit është miratuar projektligji i ri për shërbime sociale dhe familjare.

Siç u tha në mbledhje, ky projektligj, do të shërbejë për viktimat e dhunës, abuzimin e fëmijëve, të rinjtë e të moshuarit e po ashtu fuqizon procesin e strehimit të fëmijëve pa përkujdesje prindërore.

Prezantimin e projektligjit e ka bërë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

“Është njëri ndër dokumentet më të rëndësishme, reformat që kemi nisur në raport me shërbimet sociale dhe familjare”.

“Shërbimet sociale familjare janë organizuar në bazë të ligjit i cili është i 2007, do të thotë i kemi dikund 14 vjet që Kosova funksionon me një legjislacion të ngjashëm. Pas konsultimeve me ministrin e Financave po e bëjmë ndryshimin e projektligjit”, ka thënë Haxhiu.

Miratohen tri marrëveshje mes Kosovës dhe Qeverisë së Mbretërisë së Suedisë

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, po ashtu janë miratuar edhe tri marrëveshje mes Kosovës dhe Qeverisë së Mbretërisë së Suedisë, që kanë të bëjnë me fushën e drejtësisë.

Marrëveshja e parë ka të bëjë me shqyrtimin e nismës për lidhjen e marrëveshjes për ekstradim ndërmjet Kosovës dhe qeverisjes së Mbretërisë së Suedisë.

“Mbretëria e Suedisë, është pajtuar që ta avancoj tutje bashkëpunimin në fushën e ekstradimit në mes të Republikës tonë dhe qeverisjes së atyre”, pohoi Kurti.

Ndërsa zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, tha se kjo marrëveshje ka për qëllim forcimin dhe bashkëpunimin.

Flamuri i Kosovës dhe Suedisë.

“Qëllimi i kësaj marrëveshje është forcimi dhe bashkëpunimi në fushën e ekstradimit mes dy vendeve. Ndër të tjera këtu parashihet detyrimi i shteteve për të ekstraduar personat që kërkohen në shtetet tjera, qoftë për t’u ndjekur penalisht apo për të vuajtur dënimin e shqiptuar në organet e atij shteti”.

“Në këtë drejtim konsideroj që është momenti i duhur që bashkëpunimin e suksesshëm me Suedinë ta finalizojmë përmes kësaj marrëveshje”, tha Qorrolli.

Marrëveshja tjetër ka të bëjë me fushën e të drejtës penale dhe rehabilitim social të personave të dhunuar, kurse marrëveshja e tretë është miratuar për ndihmë të ndërsjellët juridike në çështjet penale sërish mes Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë.

Marrëveshje mes Kosovës dhe Austrisë për sigurime sociale, negocimet nisin javën e ardhshme

Kosova dhe Austria, do të lidhin marrëveshje për sigurimet sociale e cila do të mundësoj njohjen e përvojës së punës në të dyja Republikatë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën ka thënë se kjo marrëveshje do të mundësoj llogaritjen në pensionim, “kështu duke u bashkuar përvojat e kontributdhënësve”.

“Kjo marrëveshje mundëson njohjen e përvojës së punës në të dyja republikat, në të dyja konsiderohet përvoja e punës e të cilat pastaj llogaritet në pensionim pra bashkohen përvojat e kontributdhënësve”, deklaroi Kurti.

Flamuri i Kosovës dhe Austrisë.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, sqaroi se negocimi për këtë marrëveshje pritet të nisin javën e ardhshme.

“Ky projektligj ka për qellim mbrojtjen shoqërore për qytetarët e Kosovës që jetojnë dhe veprojnë në Austri, duke ua mundësuar atyre të realizojnë të drejtat e tyre siç janë pensionet e moshës, pensionet familjare si dhe e drejtat në pension nga fondi i kursimeve pensionale”.

“Me këtë marrëveshje qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilët kanë punuar një kohë në Republikën e Austrisë do të mundësohet që këtë pension ta marrin edhe në Kosovë. Negociatat pritën të zhvillohen gjatë javës së ardhshme”.

Qeveria ndan 4 mijë e 200 euro për transportimin e kufomës së argjentinases së vrarë

Ekzekutivi ka ndarë 4 mijë e 200 euro, për të mbuluar shpenzimet për transportimin e kufomës së argjentinases që dyshohet se u vra nga partneri i saj në Fushë-Kosovë në fillim të gushtit.

Në arsyetim të vendimit, zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, ka thënë se, “kjo bëhet për shkak të ndjeshmërisë dhe aspektit human si dhe pamundësisë financiare të familjes”.

Teksa ka bërë të ditur se avokatja e familjes ka bërë kërkesën më 1 shtator.

Mjetet janë ndarë nga buxheti i Ministrisë së Drejtësisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore