Lajme

Kosova ka arritur deri këtu në bashkëpunim me ndërkombëtarët, thotë Ahmeti


Ali Ahmeti

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) – partia më e madhe shqiptare në Maqedoni të Veriut – Ali Ahmeti, ka thënë se të arriturat e Kosovë kanë ardhur si rezultat i bashkërendimit me komunitetin ndërkombëtare, posaçërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Këto komente, lideri i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, i bëri në një prononcim për agjencinë kosovare të lajmeve “KosovaPress”.

“Kosova ka autoritetet e veta. Kosova ka subjektivitet edhe ndërkombëtar, por Kosova ka arrit deri këtu në komunikim, bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar, në veçanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe NATO”, tha fillimisht Ahmeti.

Prandaj, ka vlerësuar ai, “ky komunikim duhet të jetë në vazhdimësi, sepse historikisht shtetet janë ndërtuar me Aleanca, shtetet janë ndërtuar me miq, dhe ne akoma kemi nevojë që aleancat t’i ruajmë dhe t’i forcojmë”.

“Ne akoma kemi nevojë për miq dhe miqësitë t’i zgjerojmë dhe jo të izolohemi dhe të biem në kundërshtim me komunikimin, bashkëpunimin dhe me kërkesat, këshillat e komunitetit ndërkombëtar”, shtoi.

Kosova, në prizmin e Ahmetit, vit pas viti duhet të shënojë përparim “në zhvillimin ekonomik, në politikat e jashtme, në sundimin e ligjit – sigurisht duke sunduar ligji lehtësohet rruga për ta luftuar krimin dhe korrupsionin”.

“Kështu që jo vetëm Kosova, por i tërë Ballkani Perëndimor i ka vështirësitë e veta në avancimin e demokracisë, në sundimin e ligjit, dhe për këtë arsye ne si shtete të këtij rajoni, kemi detyra shtëpie nëse duam të jemi pjesë e Evropës duhet të instalojmë standarde të mirëfillta në drejtim të sundimit të ligjit dhe luftës kundër krimit e korrupsionit”, deklaroi kreu i BDI-së.

Këto komente të Ahmetit vijnë në një kohë kur vendet perëndimore, posacërisht BE dhe SHBA, janë duke kritikuar Kosovën lidhur me vendimin për ndalimin e dinarit serb.

Madje, nga SHBA-të është thënë se ky vendim i autoriteteve kosovare – i pa koordinuar me aleatët – ka cenuar raportet mes dy vendeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore