Lajme

Kosova edhe në vitin 2024 do të investojë në armatim


Ilustrim

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, këtë të shtunë përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook ka shpalosur prioritetet e dikasterit të cilën ai e drejton.

Një ndër qëllimet kryesore të Ministrisë së Mbrojtjes për 12 muajt e ardhshme do të jetë investimi në sisteme moderne të armatimit.

Përveç kësaj zhvillimi i burimeve njerëzore, logjistike, infrastrukturore e kapaciteteve të inteligjencës do të jenë ndër prioritetet e kësaj Ministrie, sipas Maqedoncit.

“Ristrukturimi i Ministrisë së Mbrojtjes. Pas miratimit të Ligjit për Agjencinë për Inteligjencë dhe Siguri të Mbrojtjes hartimi i akteve nënligjore dhe dokumenteve të tjera përcjellës për funksionalizimin e Agjencisë. Hartimi i Ligjit për Komponentin Rezervë bazuar në draft-koncept dokumentin për Komponentin Rezervë të FSK-së. Hartimi i Strategjisë për Zhvillimin e Industrisë së Mbrojtjes. Zhvillimi i kapaciteteve të mirëmbajtjes. Zgjerimi i Infrastrukturës. Krijimi i Qendrës Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike”, do të jenë ndër prioritetet e tjera të Ministrisë së Mbrojtjes.

Ndryshe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e 171-të të Qeverisë së Kosovës, kishte bërë të ditur se buxheti i Republikës për vitin 2024 do të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro.

Nga kjo shumë mbi 153 milionë euro janë ndarë për Ministrinë e Mbrojtjes.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës në anën tjetër kanë pranuar kërkesën e Qeverisë së Kosovës për blerjen e raketave anti-tank, Javelin dhe pajisjeve të tjera përkatëse në vlerë prej 75 milionë dollarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore