Lajme

“Kosova duhet të vendos sanksione ndaj Federatës Ruse”


Enver Hoxhaj

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës dhe tashmë deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka potencuar se Kosova nuk duhet të ketë një pozicion të ngurtë karshi ngjarjeve në Ukrainë dhe se Kuvendi i Kosovës në koordinim me Qeverinë duhet ta mbështesin sovranitetin, integritetin territorial në kufijtë ndërkombëtar të Ukrainës.

Ai madje ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të bashkohet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian dhe të vendos sanksione ndaj federatës ruse, ashtu si në vitin 2014 kur ekzekutivi ka vendosur sanksione ndaj këtij shteti, pas aneksimit të Krimesë.

“Vendimi i djeshëm i Presidentit Putin nuk është asgjë tjetër veçse i barabartë me vendimin e vitit 1938 për aneksimin e Çekoslovakisë, preteskt për okupim ushtarak dhe grabitje të një territori të një shteti fqinj”, ka thënë Hoxhaj nga foltorja e Kuvendit të Kosovës.

“Ne si deputet të Kuvendit të Kosovës për shkak të historisë por edhe për shkak të kauzës tonë të drejtë duhet të jemi solidar në këto momente me Ukrainën”, ka pohuar ai.

Ish-kryediplomati kosovarë përveç sanksioneve ka kërkuar nga ligjvënësit në Kosovë të miratojnë edhe një rezolutë për ngjarjet e fundit në Ukrainë.

“Qeveria e Kosovës duhet ta mbledh edhe këshillin e sigurisë kombëtare dhe së treti sot nëse SHBA-të dhe BE-ja vendosin sanksione rusisë, Qeveria e Kosovës duhet të mblidhet dhe të vendos sanksione ndaj federatës ruse”.

Ndryshe, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës përmes një cicërime në Twitter ka deklaruar se qëndron me Ukrainën në sovranitetin dhe integritetin territorial të saj, pas njohjes së dy republiave të vetë-shpallura pro-ruse nga Federata e Rusisë.

“Kosova qëndron me Ukrainën kundër agresionit të plotë të Rusisë”, shkroi MPJ.

“Putini edhe njëherë po shpallë luftë kundër demokracisë paqësore. Ai ka qenë duke shpallur luftë hibride kundër demokracive në Evropë qe shumë vite. Bota e lirë duhet të reagoj me vendosmëri kundër Putinit dhe përfaqësuesve të tij”, shkruan në Ministria e Jashtme në Twitter.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore