Lajme

Kosova do t’i kursej të paktën 15 milionë euro përmes programit të MCC-së


Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar se Kosova do të kursejë të paktën 15 milionë euro në vit nga programi i ri i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).

Sipas Rizvanollit, ky është investimi më i madh në historinë e Kosovës, por edhe në rajon

“Ky program do të sjellë në Kosovë rezerva të energjisë përmes baterive të kapacitetit të lartë rreth 347 megavat orë rezerva, të cilat do të kryejnë funksionin e stabilizimit të frekuencave të rrjetit si dhe shfrytëzimit të energjisë së ruajtur gjatë natës në orët më të ngarkuara gjatë ditës, që do të thotë ulje të importit të shtrenjtë të energjisë”, tha Rizvanolli gjatë nisjes së takimit me delegacionin amerikan.

Tutje ajo sqaroi programin dhe avancimin që do të ketë sektori i energjisë.

“Programi kompakt do të mundësojë një tranzicion të shpejtë dhe të drejtë energjetik në Kosovë në një të ardhme me energji të ripërtërishme”.

“Strategjia e energjisë, siç e dini, parasheh instalimin e së paku 1,400 megavatëve kapacitete të energjisë diellore dhe të erës, të cilat do të kyçen në rezerva për t’u shfrytëzuar në kohërat kur nuk kemi erë ose diell të mjaftueshëm me anë të baterive që do t’i blejmë përmes këtij programi”.

Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).

Drejtoresha e MCC-së për Kosovën, Sarah Olmstead, potencoi se ky program vjen në kohën kur bota po përballet me krizë energjetike.

“Të gjithë [në bordin e MCC-së] ishin të entuziazmuar për këtë program. Kam dëgjuar nga të gjithë përfaqësuesit se sa kritike dhe sa në kohë të duhur është ky program dhe me të vërtetë e shohin këtë si fuqi për të ndihmuar Kosovën në energjinë e pastër dhe duke pasur parasysh luftën në Ukrainë dhe sfidat e dimrit të kaluar, ndjenja ishte se Kosova nuk duhet të humbë kohë që të marrë këtë program”.

Më 1 korrik, Bordi Ekzekutiv i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), ka bërë të ditur se ka aprovuar Programin Kompakt me Kosovën në vlerë prej mbi 200-milionë dollarësh.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Ekonomisë, nga financimi 200 milionë dollarë janë në formë granti nga SHBA-ja, ndërsa rreth 35 milionë dollarë do të ndahen nga Qeveria e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore