Lajme

Kosova dhe Shqipëria me dy marrëveshje të reja nga fusha e drejtësisë


Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe homologu i saj nga Shqipëria, Ulsi Manja, nënshkruan dy marrëveshje të reja nga fusha e drejtësisë së të dyja vendeve.

“Marrëveshja për vendosjen e një bashkëpunimi të ndërsjellët ndërmjet palëve në fushën e sistemit penitenciar” dhe “Marrëveshja për lehtësimin e bashkëpunimit të institucioneve në fushën e mbikëqyrjes së ekzekutimit të dënimeve alternative dhe lirimit me kusht”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, kjo dakordancë bëhet pas zotimit të dhënë për nënshkrimin e të njëjtave nga ministrja Haxhiu e Manja në mbledhjen e tetë të përbashkët të të dy Qeverive, “me çka manifestohet edhe më tej simbolika e për bashkimit e bashkëpunimit ndër-vëllazëror e ndër-institucional në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë”.

“Nevoja e kësaj shtrirjeje të bashkëpunimit ka ardhur si kërkesë dhe interes i qytetarëve të të dyja vendeve tona. Prandaj, zgjerimi e thellimi i këtij bashkëpunimi, përmes nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve, i kontribuon interesit tonë, duke qenë se i shërben interesit të tyre”.

Këtë të diele është mbajtur seancë e përbashkët e Kuvendit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se “duhet të jemi më shpesh bashkë, jo vetëm në kremte, jo vetëm ne politikanët”.

“T’i pranojmë kritikat njëri-tjetrit. Pra, të punojmë së bashku”, tha Kurti.

“Duhet të gëzohemi kur përfshihemi sa më shumë në çështjet publike të njëri-tjetrit, jo për të penguar, por për të kontribuar. Hapësira jonë publike, politika, kultura e ekonomia, nuk janë çifligje të bllokuara me tapi, por e përbashkëta, kalaja ku e vëmë të gjithë nga një gurë”, tha ai.

‘Kuvendi i shqiptarisë’, për dy vende që mund të bëhen një

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore