Lajme

Kosova dhe Mali i Zi duhet të bashkëpunojnë për t’u mbrojtur nga Serbia, thotë Bugajski


Janusz Bugajski

Janusz Bugajski, gazetar dhe njohës i zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, në dritën e kërcënimeve të Serbisë ndaj vendeve fqinje, deklaroi për mediat malazeze se Kosova dhe Mali i Zi, por edhe Bosnje-Hercegovina, duhet të ngrisin nivelin e bashkëpunimit për të mbrojtur sovranitetin dhe pavarësinë kundër qëllimeve hegjemoniste të shtetit serb.

“Serbia do të përpiqet të zgjerojë qëllimet hegjemoniste duke dominuar apo destabilizuar qeveritë fqinje në Sarajevë, Prishtinë dhe Podgoricë. Projekti i ‘Serbisë së Madhe’ mund të luftohet edhe përmes bashkëpunimit të Malit të Zi me vendet tjera, veçanërisht me Bosnje-Hercegovinën dhe Kosovën, për të ruajtur pavarësinë e ndërsjellë”, theksoi Bugajski.

Apeli i Bugajskit për bashkëpunim vjen në dritën e kërcënimeve të sigurisë dhe stabilitetit të Ballkanin Perëndimor, posaçërisht pas ngjarjeve të fundit që kanë dëshmuar se paqja në rajon është akome e brishtë. Përpjekjet e Serbisë për destabilizimin e rajonit filluan në Mal të Zi dhe përfunduan në Kosovë, ku një grup paramilitar serb kreu sulm terrorist.

Në Bosnje-Hercegovinë zhvillimet janë karakterizuar muajve të fundit nga aktivitetet destabilizuese dhe thirrjet etno-nacionaliste e seperatiste të presidentit të entitetit serb, Millorad Dodik, i cili ka mbështetjen e heshtur të Rusisë dhe Serbisë. Autoritetet e Republikës Sërpska zbatojnë një qëndrim konfrontues ndaj bashkësisë së organizuar perëndimore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore