Lajme

Kosnett falënderon Kosovën për ofrimin e strehimit të afganëve


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë takimit me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë takimit me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett, ka theksuar se ky i fundit “ka shprehur falënderimin e qeverisë së SHBA-ve për vendimin e institucioneve të Kosovës për të ofruar mbrojtje të përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga Afganistani”.

Presidentja Osmani theksoi se qytetarët e Kosovës, “nisur nga përvoja e kaluar, mirëkuptojnë nevojën për strehim të sigurt për personat e rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan”.

Kështu thuhet në njoftimin e zyrës për komunikim publik të presidencës, ku presidentja Osmani ka potencuar se Kosova “do t’i qëndrojë përkrah SHBA-ve dhe shteteve aleate” duke dhënë kontributin e saj në paqen ndërkombëtare.

Po ashtu, Osmani dhe Kosnett kanë diskutuar edhe për thellimin e bashkëpunimit me institucionet e Kosovës në fushën e politikës së jashtme si dhe në realizimin e reformave në drejtësi dhe energjetikë.

Në anën tjetër, Osmani ka shprehur falënderimin për ndihmën e SHBA-ve ndaj Kosovës në ballafaqimin me pandeminë COVID-19.

“Osmani shprehu falënderimin për mbështetjen e SHBA-ve në ballafaqimin me pandeminë që nga donacionet në pajisje mjekësore dhe vaksina, deri tek nismat për njoftim të publikut për masat mbrojtëse kundër Covid-19 dhe informimit të drejtë për vaksinat”.

Ndërsa, ditë më parë ambasadori Kosnett, sa i përket gatishmërisë së Kosovës për të ofruar strehë refugjatëve afganë, pati thënë se Kosova me këtë akt ka treguar lidership në skenën globale.

“Në emër të Shteteve të Bashkuara, falënderoj përzemërsisht qeverinë dhe popullin e Kosovës për gatishmërinë tuaj për t’u ofruar strehë partnerëve tanë afganë në udhëtimin e tyre drejt një jete të re. Edhe një herë, Kosova demonstron lidership në skenën globale”, ka shkruar Kosnett në llogarinë e tij në Twitter.

Përveç Osmanit edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për strehimin e afganëve në Kosovë duke shprehur keqardhje dhe pikëllim me pamjet nga kryeqyteti afgan.

Ai, gjithashtu ka treguar se qeveria e Kosovës ka një muaj që është në kontakt dhe bashkëpunim të rregull me SHBA-të për tu përgatitur në aspektin organizativ, logjistik por edhe të sigurisë sociale për strehimin dhe mbrojtjen e një numri të refugjatëve nga Afganistani.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore