Lajme

Korriku muaji më i nxehtë i regjistruar në botë?


Korriku, mes valëve të të nxehtit, duket se do të jetë muaji më i nxehtë i regjistruar në botë.

Kaq i nxehtë ka qenë muaji deri më sot, sa studiuesit janë të bindur se rekordi i vitit 2019 do të thyhet, edhe pse kanë mbetur disa ditë.

Shefi i OKB-së Antonio Guterres ka thënë se planeti po hyn në një “epokë të vlimit global”.

Shkencëtarët pajtohen se nxehtësia shtesë lidhet kryesisht me përdorimin e karburanteve fosile.

Presidenti amerikan Joe Biden e ka përshkruar ndryshimin e klimës si një kërcënim ekzistencial dhe se askush “nuk mund ta mohojë më ndikimin e ndryshimit të klimës”.

Disa ekspertë besojnë se korriku mund të jetë muaji më i ngrohtë në 120 mijë vitet e fundit.

Studiuesit nuk janë të befasuar që korriku është vendosur të thyejë rekordin aktual për muajin më të nxehtë pasi ka pasur shumë indikacione në javët e fundit se bota po sheh nivele shumë më të larta të ngrohjes.

Dita më e nxehtë në botë ishte më 6 korrik dhe 23 ditët më të nxehta të regjistruara ndonjëherë ishin të gjitha këtë muaj, sipas Shërbimit të Ndryshimeve Klimatike Copernicus.

Temperatura mesatare e tyre e përkohshme për 25 ditët e para të muajit është 16,95 gradë Celsius, që është shumë më e lartë se shifra 16,63 gardë Celsius për të gjithë korrikun 2019.

Në të njëjtin përfundim kanë dalë edhe analiza të tjera.

Karsten Haustein nga Universiteti i Leipzig ka llogaritur se korriku i vitit 2023 do të jetë 1,3-1,7 gradë Celsius mbi temperaturat mesatare të korrikut të regjistruara përpara përdorimit të gjerë të lëndëve djegëse fosile.

Supozimi më i mirë është rreth 1.5 gradë.

Ai ka besim se edhe nëse ditët e fundit janë më të ftohta, marzhi i gabimit është i mjaftueshëm për ta bërë korrikun më të nxehtin.

“Jo vetëm që do të jetë korriku më i ngrohtë, por muaji më i ngrohtë ndonjëherë për sa i përket temperaturës mesatare globale”, ka thënë .

“Mund të na duhet të kthehemi mijëra, nëse jo dhjetëra mijëra vjet, për të gjetur kushte të ngjashme në planetin tonë”.

Ndërkohë, studiuesit përcaktojnë temperaturën globale të ajrit duke marrë lexime nga stacionet e motit në mbarë botën.

Megjithatë, nuk ka stacione të mjaftueshme për të dhënë një pamje globale plotësisht të saktë, kështu që shkencëtarët ushqejnë të gjitha këto lexime në modelet kompjuterike.

Këto i lejojnë shkencëtarët të krijojnë një hartë pa boshllëqe, që do të thotë se temperatura globale mund të vlerësohet në mënyrë të besueshme.

Dhe duke i kombinuar këto grupe të dhënash me parashikimet globale të motit për ditët e ardhshme, shkencëtarët mund të dalin me një vlerësim të besueshëm të temperaturës globale edhe para fundit të muajit.

Teksa korriku ka të ngjarë të jetë më i ngrohti në të dhënat që datojnë rreth 150 vjet më parë, disa studiues besojnë se temperatura përfundimtare mund të jetë më e ngrohta në dhjetëra mijëra vjet.

Për të gjetur këto figura të lashta, shkencëtarët përdorin të dhëna si ajri i bllokuar në bërthamat e akullit polar, ose sedimentet në oqeanin e thellë. Këto kapin një sinjal të klimës në atë kohë.

Sipas shkencëtarëve, hera e fundit që bota ishte njësoj e ngrohtë ishte rreth 120 mijë vjet më parë – kur nivelet e detit ishin rreth 8 metra më të larta se sot, dhe hipopotamët ishin të pranishëm deri në veri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore