Lajme

Koreja e Veriut, kritika BE-së për sanksionet: Provokim i neveritshëm politik


Koreja e Veriut ka kritikuar ashpër sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian (BE) kundër zyrtarëve të lartë, duke i konsideruar si një “provokim politik të neveritshëm” që vjen si rezultat i “një mënyre psikotike të të menduarit”.

Të hënën, Këshilli i BE-së deklaroi se, për shkelje të të drejtave të njeriut, do t’u vendosë sanksione 12 personave dhe 4 entiteteve në gjashtë shtete, përfshirë Kinën, Rusinë dhe Korenë e Veriut.

Kjo lëvizje nxiti “hakmarrjen” e menjëhershme të Pekinit. Ky i fundit ka deklaruar se do të sanksionojë 10 shtetas të Bashkimit Evropian (BE), duke përfshirë politikanë, për “dëmtimin” e sovranitetit të Kinës.

Kjo, për “ndërhyrje të rëndë” në punët e saj të brendshme dhe për “shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar”.

Sipas agjencisë së lajmeve, një zëdhënës i ministrisë së Jashtme së Koresë së Veriut ka denoncuar sanksionet. Ai i konsideroi si “një mjet politik” i shkaktuar nga shthurja e tepërt e BE-së, e cila shoqërohet “me një mënyrë psikotike të të menduarit”.

BE-ja ka vendosur sanksione ndaj ministrit të Sigurimit të Koresë së Veriut, Jong Kyong Thaek, ministrit të Sigurisë Publike, Ri Yong Gil, dhe ndaj Prokurorisë Publike Qendrore në Korenë e Veriut.

BE i akuzon për “shkelje serioze të të drejtave të njeriut”, duke filluar nga torturat dhe ekzekutimet arbitrare, deri te puna e detyruar dhe dhuna seksuale ndaj grave.

Koreja e Veriut akuzohet nga Kombet e Bashkuara (KB) për shkelje “sistematike, të përgjithësuara dhe flagrante të të drejtave të njeriut”, duke filluar nga torturat deri te vrasjet pa gjyq.

Pyongyang i ka hedhur poshtë këto akuza. Koreja e Veriut i ka konsideruar akuzat si propagandë kundër regjimit, duke u kundërpërgjigjur se mbron dhe promovon “të drejtat e vërteta të njeriut”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore