Lajme

Konjufca takon Pelosin: Shkëmbyem pikëpamje për zhvillimet në rajon dhe arenën ndërkombëtare


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, gjatë qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po merr pjesë në Samitin për Demokraci, është takuar me ish-Kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit të ShBA-së, Nancy Pelosi, me të cilën ka biseduar ndër të tjera për zhvillimet në rajon.

“Takim tejet miqësor me ish-Kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve dhe miken e kahmotshme të Kosovës, zonjën Nancy Pelosi, e cila na mirëpriti në Kongresin Amerikan”, shkroi Konjufca në Facebook.

Tutje, ai tha se me kongresisten Pelosi “shkëmbyem pikëpamje” për zhvillimet në rajon dhe arenën ndërkombëtare, dhe për forcimin e bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe ShBA-së.

“Me Kongresisten Pelosi shkëmbyem pikëpamje për zhvillimet në rajon dhe arenën ndërkombëtare, forcimin e bashkëpunimit dypalësh, rëndësinë e avancimit në proceset euroatlantike dhe vazhdimin e mbështetjes së Republikës së Kosovës nga aleati dhe partneri ynë strategjik – Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Po ashtu, kreu i Kuvendit shtoi se me Pelosin “nënvizuam faktin se popujt dhe shtetet tona” ndajnë të njëjtat vlera dhe parime të lirisë e demokracisë, “dhe se çdo ditë e më tepër po i zgjerojnë fushat e bashkëpunimit të ndërsjellë”.

“Kosova dhe populli ynë janë të bekuar që kanë miq kaq të mrekullueshëm e të çmuar si Kongresisten Pelosi dhe përkrahjen e pakursyer të Shteteve të Bashkuara. Thellësisht mirënjohës dhe falënderues”.

Ndryshe, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në ditën e parë të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka takuar Zëvendës-Ndihmës Sekretarin e ShBA-ve dhe njëherësh Përfaqësuesin Special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, me të cilin kanë diskutuar për zhvillimet aktuale politike në vend dhe rajon.

Konjufca në takim me Escobarin, ka diskutuar edhe për procesin e dialogut dhe Marrëveshjen e Ohrit, me theks të veçantë çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Ritheksuam qëndrimin e shtetit të Kosovës, por edhe garantimin e Departamentit të Shtetit, se nuk mund të formohet kurrfarë asociacioni apo ndonjë mekanizëm tjetër që cenon sovranitetin, pavarësinë, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”, ka shkruar fillimisht Konjufca në rrjetin e tij social në Facebook.

Sipas Konjufcës në takim me top-diplomatin amerikan është diskutuar edhe çështja anëtarësimit të Kosovës në strukturat euroatlantike dhe organizatat ndërkombëtare.

“Ndamë pikëpamje të njëjta që të vazhdojmë të punojmë së bashku për agjendën e përbashkët të anëtarësimit të Kosovës në strukturat euroatlantike dhe organizata ndërkombëtare, e po ashtu edhe për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka shtuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore