Lajme

Konjufca pas takimit me Szunyog insiston për “njohjen në qendër”


Tomasz Szunyog dhe Glauk Konjufca

Për kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, procesi i dialogut me Serbinë duhet të përmbyllet me marrëveshje ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të obligueshme për normalizimin e plotë të raporteve me njohjen në qendër.

Qëndrimin e tij kryekuvendari e ka bërë të ditur pas një takimi me Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.

Sipas një njoftimi për media i bërë nga Kuvendi i Kosovës thuhet se Konjufca e Szunyog “kanë shkëmbyer pikëpamjet për zhvillimet aktuale politike aktivitetin dhe prioritetet e Kuvendit, si dhe për bashkëpunimin e ndërsjellë dhe agjendën evropiane të Republikës së Kosovës”.

“Kryetari Konjufca ritheksoi se procesi i dialogut me Serbinë duhet të përmbyllet me marrëveshje ligjërisht e ndërkombëtarisht të obligueshme për normalizimin e plotë të raporteve me njohjen reciproke në qendër”, thuhet në komunikatë për media, ndër të tjera.

Ndryshe nga Konjufca, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me deleguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, përmes një postimi në rrjetin e tij social në Twitter deklaroi se e ka pranuar propozimin e BE-së për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë që nuk e ka në qendër njohjen, por rregullon disa aspekte të tjera mes nënshkruesve sipas kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

“Ne e pranojmë propozimin e BE-së për normalizimin e raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë”, kishte shkruar Kurti.

Kurti prejse është bërë kryeministër ka deklaruar se nuk pranon asnjë marrëveshje që nuk e ka “njohjen reciproke në qendër”, duke nënkuptuar kështu se nuk vë nënshkrim në asnjë dokument ku Serbia nuk pranon Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.

Kryeministri argumentonte se deri më tani njohja ka qenë në fund të procesit, pra me nënshkrim të marrëveshjeve për çështje të tjera me idenë se në fund nënshkruhet marrëveshja për njohje.

Koncepti i tij i bisedimeve, thoshte Kurti, është i ndryshëm, sepse njohja vendoset në qendër dhe mund të arrihet akord edhe për çështje të tjera më pas, por vetëm duke pasur njohjen si strumbullar.

Në deklarime të mëhershme ai e ka potencuar se propozimi evropian, i njohur më shumë si propozimi franko-gjerman, është bazë e mirë për bisedime, por në këtë status pas takimit me Lajçak-un është hera e parë që e ka shkruar “se e pranojmë propozimin”.

Por, propozimi franko-gjerman nuk e ka njohjen në qendër, madje njohjen formale nuk e ka as në skaje.

Kurti thotë që e pranon propozimin e Bashkimit Evropian – i cili nuk e ka njohjen në qendër

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore