Lajme

Konjufca nga Prekazi: Këtu ka ndodhur sakrifica më e madhe e popullit shqiptar për liri


Për nder të 28 nëntorit kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca bëri homazhe në fshatin Prekaz dhe Boletin ku vendosi kurora me lule.

“Këtu ka ndodhur sakrifica më e madhe e popullit shqiptar për liri dhe këtu është ngjizur lufta e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës”, tha Konjufca.

Ai shtoi se kjo datë është e rëndësishme sepse pikërisht më 28 nëntor 1997 në Llaushë doli për herë të parë UÇK-ja, që përkon edhe me ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari.

“Nëntorët gjithnjë do të festohen dhe uroj që neve të na gjejnë më të bashkuar dhe më të fortë”, potencoi ai.

Pas Prekazit, Konjufca së bashku me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci, bëri homazhe dhe vendosi lule edhe në fshatin Boletin.

Në kullën e heroit kombëtar Isa Boletini, ai theksoi se Shqipëria e Kosova janë një, kanë qenë të bashkuara përgjatë gjithë historisë, ishin bashkë edhe me 28 nëntor 1912, kur u shpall pavarësia.

“Shqipëria dhe Kosova janë një. Përgjatë gjithë historisë kanë qenë të bashkuara. Ishin bashkë edhe me 28 nëntor të vitit 1912. Personifikimi më i mirë i këtij bashkimi është figura madhështore e heroit tonë Isa Boletini”.

Kreu i Kuvendit shtoi se heroi Isa Boletini jo vetëm që e vuri nënshkrimin e tij me ngjyrë në deklaratën e pavarësisë së Shqipërisë, por e ka shkruar historinë e shqiptarëve edhe me gjak e sakrificë.

Duke ua uruar të gjithë shqiptarëve festën e 28 nëntorit, Kunjufca tha se pasardhësit e Isa Boletinit duhet të jenë krenarë që me shumë kujdes e nder po e mbrojnë këtë trashëgimi kaq të vlefshme për kombin tinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore