Lajme

Konjufca: Mungon vullneti i mazhorancës që në zgjedhje të reja të shkohet përmes dorëheqjes


Glauk Konjufca

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se mungon vullneti i mazhorancës, pra Lëvizjes Vetëvendosje, që në zgjedhje të reja të shkohet përmes dorëheqjes së Qeverisë.

Këto komente, Konjufca i ka bërë pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, pasi që është pyetur për propozimin e Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, që zgjedhjet të mbahen më 9 qershor.

“Me sa kam njohuri nuk ka ndodhë asnjë takim i rëndësishëm, i këtij niveli që të vendoset e diskutohet se kur do të ishte koha më e përshtatshme se kur duhet të shkojmë në zgjedhje”, tha fillimisht Konjufca.

Kreu i kuvendit theksoi se është rast i rrallë që të gjitha partitë po pajtohen që të shkohet në zgjedhje dhe “nuk po arrijmë që kjo punë të bëhet”.

“Nuk mendoj që është punë e frikës, por mungon vullneti i mazhorancës që të ndodhë përmes dorëheqjes”, theksoi ai kur u pyet se a ka frikë VV nga zgjedhjet e reja.

“Nuk ka arsye që të jap dorëheqje qeveria, qeveritë japin dorëheqje kur diçka nuk është tuj funksionu”, shtoi.

Mazhoranca e ka shumicën në Kuvend, pohoi ai, që mund të votojë projektligje, “por mua më pengon shumë që Kuvendi e ka humbë kapacitetin e vet për me votu marrëveshje ndërkombëtare”.

“Kjo ka qenë një dëm i madh”, vlerësoi ai, duke shtuar se kjo ka qenë një nga arsyet që ka qenë i mendimit për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Gjithashtu, ai bëri me dije se në partinë e tij nuk është diskutuar akoma çështja e zgjedhjeve.

“Në VV, mesa e di unë, nuk ka ndonjë temë që jemi mbledhë edhe hajde të flasim se kur do të caktojmë që të shkojmë në zgjedhje”.

“E vetmja ndërhyrje ku qeveria ka reagu për zgjedhje është ky i kryeministrit javën e kaluar ku ka thënë se është i gatshëm për me shku në zgjedhje për ta ndihmuar opozitën. Por ai ka thënë se jo përmes dorëheqjes, e në çfarë forme është më mirë me e pyet qeverinë”, tha ai.

Zgjedhjet e ardhshme parlamentare në kushte normale do të duhet të mbaheshin shkurt të vitit 2025, mirëpo partia në pushtet, pra Lëvizja Vetëvendosje, dhe opozita kanë shprehur gatishmërinë që të njëjtat të mbahen më herët.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura më 14 shkurt të vitit 2021, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), siguroi 58 ulëse, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) siguroi 19 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) siguroi 15 ulëse dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), 8 ulëse.

Në rezultatet përfundimtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), njoftoi se LVV-ja kishte fituar 438 mijë e 335 vota (50.28%), PDK-ja 148 mijë e 296 (16.90%), LDK-ja 110 mijë e 978 (12.64%) dhe AAK-ja 62 mijë e 111 vota (7.07%).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore